Aktualitet

Ceremonia e ngritjes së flamurit në Vlorë bën bashkë drejtuesit e Shqipërisë e Kosovës!

Në Vlorë aty ku më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin shqiptar duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, sot u mbajt ceremonia e ngritjes së flamurit, me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë. Kjo ceremoni ka bërë bashkë drejtuesit më të lartë të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës. Të pranishëm ishin presidentët Bajram Begaj e Vjosa Osmani, kryeparlamentarët Lindita Nikolla e Glauk Konjufca, si dhe kryeministrat Edi Rama e Albin Kurti. Nën tingujt e himnit të flamurit, zyrtarë e lartë të dy shteteve u përkulën dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.

Në fjalën e tij, presidenti Bajram Begaj u shpreh:

Në këtë shesh e në këtë qytet, më 28 nëntor të vitit 1912, për herë të parë kumboi Himni i Pavarësimit të Shtetit të ri Shqiptar, të një populli që hynte në epokën e mëvetësisë dhe sovranitetit, si kurorëzim i përpjekjeve, aspiratave e sakrificave të panumërta shekullore. Patriotë të mëdhenj dhe mendjendritur, nga të gjitha viset e Shqipërisë, udhëhequr nga i urti Ismail Qemali, jetësuan përpjekjet e mëdha të Rilindjes Kombëtare dhe i dhanë atdheut, vendin që i takonte në familjen e madhe të kombeve.

Historia jonë kombëtare është histori luftërash e sakrificash të paepura për liri, është histori përpjekjesh të pafundme për dije e progres, është histori e një populli që dashurinë për tokën dhe atdheun e ka mbi gjithçka. Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar, e brezave dhe patriotëve të panumërt, që me përgjegjësi historike, në ditët e rrezikut të madh, jetësuan vullnetin shekullor të popullit, me shumë guxim e largpamësi.

110 vjet pas shpalljes së pavarësisë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Ballkan, në Europë e në mbarë botën. Kombi shqiptar ka forcuar gjithnjë e më shumë pozitat dhe rolin e tij të merituar, duke u bërë një faktor e aktor i besueshëm për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajonin tonë.

Nëse para 110 viteve diskutohej copëzimi i trojeve shqiptare, sot Shqipëria si një anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e  Kombeve të Bashkuara, luan rol të rëndësishëm për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe për promovimin e demokracisë. Ajo është e fokusuar në objektivin strategjik të integrimit në Bashkimin Europian, si e ardhmja më e mirë dhe rruga më e sigurt për Shqipërinë, për gjithë faktorin shqiptar në rajon dhe vetë rajonin.

Kryetari i Shtetit u ndal edhe te Samiti BE-Ballkani Perëndimor që mbahet më 6 dhjetor në Tiranë duke e cilësuar “ngjarje dhe përgjegjësi të madhe”.

Ky samit është mesazh mbështetjeje dhe inkurajimi për të gjithë shqiptarët e të ardhmen tonë në familjen europiane, njëherazi duke nxitur një përgjegjësi të shtuar për institucionet dhe klasën politike, për vijimin e reformave e avancimin e agjendës europiane. Ne duhet të jemi bashkë për zhvillimin e vendit, për ndërtimin e shtetit ligjor, për forcimin e demokratizimin e institucioneve dhe respektimin e çdo individi e të drejtave që burojnë nga Kushtetuta. Duhet të jemi bashkë në luftën kundër korrupsionit, pabarazisë dhe varfërisë; bashkë për çështje të sigurisë kombëtare e Reformës në Drejtësi; bashkë për një shoqëri të lirë, të angazhuar e të arsimuar; për një Shqipëri të mundësive të barabarta, të medias së lirë, të institucioneve që u shërbejnë qytetarëve e të rinjve që gjejnë hapësirë dhe shpresë për ëndrrat e idealet e tyre, që të ardhmen ta ndërtojnë në vendlindjen Shqipëri.

Përgjegjësitë e Shqipërisë janë edhe më të mëdha se kaq.

Ne kemi detyrim për fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon. Kemi detyrim ndaj vëllezërve shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e kombëtare. Me ata nuk na bashkon vetëm gjuha e historia e përbashkët, por edhe aspirata kombëtare e integrimit europian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin e begatinë.

Kemi sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon, por sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që synon integrimin në BE dhe NATO. Shqipëria mundet e duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim. Të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkëudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj Euro-Atlantik.

Në përfundim, Begaj i bëri apel vetëdijes shqiptare se atdheu dhe kombi kanë nevojë për përkushtimin, përgjegjësinë, shërbimin dhe dashurinë e secilit prej nesh. Pas fjalës së tij, festimet në Vlorë vijojnë me aktivitete të ndryshme dedikuar 28 Nëntorit.