Bota

Certifikata e vaksinimit e BE-së me rregulla konfuze!

Zyrtarisht sot hyri në fuqi certifikata e vaksinimit e BE-së, dokument që supozohet se lehtëson udhëtimet brenda Unionit por në një analizë të Deutsche Welle-s vihet në dukje se “rregullat janë konfuze”.

Certifikatën mund ta marrin vetëm njerëz të imunizuar me një nga katër vaksinat e miratuara për përdorim në BE: Pfizer&BioNTech, AstraZeneca, Moderna e Johnson&Johnson. Kundër këtij vendimi ka protesta nga India dhe Bashkimi Afrikan pasi aty përdoret varianti indian i vaksinës së AstraZeneca-s, me emrin “Covishield”.

Në BE, nga Agjencia Europiane e Medikamenteve është miratuar për përdorim vetëm versioni europian i vaksinës AstraZeneca “Vaxzeria”. Bashkimi Afrikan flet për diskriminim të mundshëm ndaj udhëtarëve afrikanë.

Për Ballkanin nevojiten sqarime:

Komisioni Europian njoftoi se do t’u përgjigjet sa më shpejt të jetë e mundur të gjitha pyetjeve lidhur me njohjen e vaksinave në udhëtime.

Ne kemi shumë kërkesa për njohje nga shumë pjesë të botës. Duhet të kontrollojmë se për cilat vende në botë do të jetë e mundur kjo!

Një numër i madh kërkesash vijnë nga qeveritë në Ballkanin Perëndimor, sepse shumë njerëz në BE kanë lidhje familjare atje. Tani duhet të sigurohet që pas pushimeve verore në Serbi ose në Maqedoninë e Veriut dikush mund të udhëtojë përsëri në BE pa ndonjë problem.

Udhëtimet turistike nga shumica e vendeve në botë për në BE ende nuk lejohen pavarësisht nëse janë vaksinuar apo jo. Unioni ka vendosur që këto kufizime duhet të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur në varësi të zhvillimit të infektimeve në vendet e origjinës.

Britania e Madhe që nuk është më pjesë e BE-së, po ndjek rrugë tjetër. Njerëzit e vaksinuar duhet të paraqesin një test negativ dhe të kalojnë në karantinë, pavarësisht nga vaksina që kanë bërë.

Ekziston mundësia e marrjes së një certifikate vaksinimi të BE-së për njerëzit nga vendet e treta nëse vërtetojnë se kanë bërë njërën nga vaksinat e përmendura në rregullore.

27 shtetet anëtare të BE-së kanë mundësinë e pranimit të vaksinave nga lista e OBSH-së dhe lëshimin e një certifikate vaksinimi. Mundet ta bëjnë këtë, por nuk janë të detyruar. Kjo rregullore e BE-së është vetëm një rekomandim, jo ligj.

Për udhëtimet hyrëse nga Azia, Amerika e Jugut ose Afrika, nuk kërkohet certifikatë vaksinimi e BE-së por vetëm dëshmi individuale të një vaksinimi në atdhe, me një vaksinë të cilën vendi ku po udhëtoni e njeh. Kështu që mund të ndodhë që një grua indiane me mbrojtje “Covishield” lejohet të hyjë në Qipro por jo në Gjermani.

Komisioni Europian pranon që rregullat janë të vështira për t’u kuptuar dhe se interpretimi nga autoritetet kufitare e administratat në vendet anëtare duhet të përmirësohet. Tre eurokomisionerë kanë shkruar një letër për të 27 qeveritë ku kërkohet të bëhet zbatim sa më uniform i rekomandimeve të hyrjes e më pak veprime të njëanshme.