Bota Tech

Certifikatat COVID me detyrim po rrisin ato të rreme, mjaftojnë 100 euro!

Me certifikatat e COVID-it që po bëhen me detyrim nëpër botë, disa njerëz po i drejtohen kanaleve të platformave si Telegram për të blerë pasaporta false koronavirusi me një çmim rreth 100 euro. Në pak muaj, në Europë e në të tjera vende, në nivel global është shtuar numri i llogarive që shesin certifikata, të cilat më parë iu janë nënshtruar photoshop-eve dhe dërgohen përmes postës elektronike.

Ekspertët e kompanisë Check Point Software Technologies japin alarmin se është rritur numri i krimeve kibernetike.

Ata i bëjnë photoshop dhe i shesin me të gjitha informacionet ndërsa në kanale të Telegramit, piratët reagojnë në kohë duke të kërkuar detaje e gjithçka që kërkon të vendosësh në certifikatë.

Ashtu si edhe vende të tjera europiane, Italia ka prezantuar aplikacione për smartphone që të mund të verifikohet nëse një certifikatë është apo jo origjinale. Por kjo nuk mjafton!

Me fillimet e pandemisë koronavirus, popullariteti i këtyre kanaleve sa vjen e rritet, bashkë me to dhe numri i ndjekësve. Nga marsi në dhjetor të 2020-ës, shifra e ofruesve pësoi rritje drastike, nga 20 në 1.500. Madje, janë gati për çdo përditësim të masave anti-COVID që bëjnë qeveritë në botë.

Në kategoritë më të mundshme për të blerë pasaporta false, nuk ka dyshim se bëjnë pjesë njerëzit e pavaksinuar e pas tyre, ata që janë vaksinuar pjesërisht kundër koronavirusit, pra vetëm me një dozë. Gjithashtu, nuk duhen anashkaluar personat që llogariten me miliarda e nuk kanë akses në vaksina.

Në Italinë fqinje janë të sigurtë se nuk ka shanse të falsifikohet kodi i sigurisë QR për të patur akses në vende dhe evente. Të paktën i këtij mendimi është Ivano Gabrielli, i cili drejton Njësinë kundër Krimit Kibernetik. Por është fakt se pavarësisht sistemeve efikase të mbrojtjes, kur vjen puna te gjurmimi i këtij mashtrimi është shumë e vëshirë sidomos për udhëtarët e huaj.

Specialistët argumentojnë se autoritetet kufitare nuk kanë një databazë ndërkombëtare të njerëzve të vaksinuar, çka e çon zgjeron më tej luftën me pandeminë.