Aktualitet Politikë

Çështja “Berisha”, debate në grupin kuvendor demokrat!

Në kampin demokrat, strategjia e opozitës në Kuvend ishte në fokus të mbledhjes së sotme të grupit parlamentar. Enkelejd Alibeaj tha se armiku i vetëm i shqiptarëve është Edi Rama e ndaj tij do të luftojnë me strategji e me të gjitha mjetet. Pas dorëheqjes së Mark Markut, drejtues politik në Lezhë u zgjodh Agron Gjekmarkaj. Ndërkohë, nuk kanë munguar debatet për Berishën. Mësohet se Flamur Noka ka kërkuar që para se të flitet për strategjinë në Kuvend, të diskutohet e zgjidhet çështja e përjashtimit të ish-liderit demokrat nga grupi parlamentar.

Noka e quajti thikë pas shpine vendimin e Lulzim Bashës.

Vendimi ndaj Berishës ishte një thikë pas shpine për demokratët. I duhej lënë forumeve të PD-së që ta merrnin. Vetëm vendimi i anëtarësisë e mban PD-në të bashkuar. Ke shkelur statutin, vendimin duhet ta marrë Kuvendi Kombëtar. Pa i dhënë drejtim çështjes së Berishes, nuk mund të diskutohet asgjë për aksionin opozitar.

Lulzim Basha nënvizoi se vendimi për përjashtimin e Sali Berishës ka qenë më i vështiri i jetës së tij.

Mos thoni gjysmë të vërteta. Kurrë nuk kam deklaruar se ky ka qenë vendimi i jetës sime, por ka qenë më i vështiri. Për të mbajtur të bashkuar partinë, nuk desha që këtë vendim t’ua lija forumeve. Në PD, nuk do të lejoj e nuk do të ketë grupime anti-amerikane. Ky është vendim në interes të demokratëve. Vendimi për Sali Berishën nuk ka më kthim pas. Pastaj ka nje keqlexim që bëhet ose interpretohet në media. Doktori nuk është përjashtuar përfundimisht, nuk është linçuar. Ndaj tij janë thënë fjalët më të mira, por siç ka deklaruar edhe vetë, ai do të ndjekë procesin gjyqësor. Derisa e vërteta të dalë në shesh, do të qëndrojë jashtë grupit.

Ai nuk është përjashtuar as nga strukturat që të ishte nevoja për mbledhjen organeve të PD-së. Kërkesa për doktorin nuk ka ardhur nga zyrtarë të nivelit të tretë apo të rangut të ulët. Ka ardhur nga kupola e shtetit amerikan. Informacionet i di unë, siç i di shumë mirë edhe doktori e që ju s’keni për t’i marrë vesh kurrë. Nuk mblidhet asnjë Kryesi apo Kuvend sepse s’mund të ketë kuvend anti-amerikan.

Ndërkaq, ende nuk dihet reagimi i opozitës sa i përket kërkesës së maxhorancës mbi nisjen e përgatitjeve për ndryshime kushtetuese. Për këtë duhen 92 vota e shumica ka vetëm 77. Sot në mbledhjen e Kryesisë së Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla u shpreh se duhet të fillojë puna për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e procesit të Vetting-ut.