Sport

Çështja ‘Castillo’, Ekuadori rrezikon përjashtimin nga Botërori ‘Katar 2022’!

Në Ekuador rishfaqet hija e frikës për përjashtimin nga Botërori i Katarit, një eveniment që do të hapet në 20 nëntor pikërisht mes skuadrës së vendit organizator dhe Ekuadorit.

Shkaku është sërish Byron Castillo dhe çështja e nënshtetësisë së tij. Muaj më parë Federata Kiliane e Futbollit bëri denoncimin ndaj Castillos duke deklaruar se ai ishte kolumbian dhe jo ekuadorian teksa kishte dorëzuar dokumenta false, por FIFA e hodhi poshtë këtë denoncim duke mos e përjashtuar skuadrën ekuadoriane nga botërori.

Por tabloidi britanik Daily Mail publikoi prova të reja që vërtetojnë se futbollisti e falsifikoi dokumentacionin e tij dhe bëhet fjalë për dy certifikata dhe një material audio.

Daily Mail publikoi intervistën e plotë të vitit 2018 të kryer nga Presidenti i Komisionit hetimor të Federatës Ekuadoriane të Futbollit ku dëgjohet Castillo të thotë të dhëna që nuk përkojnë me dokumentacionin ekuadorian

Kur e pyetën futbollistin për vitin e lindjes ai u përgjigj në 1995. Më pas e pyetën për vitin në kartën e tij të identitetit me Castillon që u përgjigj që e kishte të 1998. Po kështu futbollisti pranoi se emri i tij i vërtetë është Bayron Javier Castillo Segura”, ndërsa në Ekuador është regjistruar si  Byron David Castillo Segura.

Kili bëri një ankesë të re në FIFA dhe në 15 shtator do të mbahet një seancë dëgjimore virtuale në lidhje me këtë çështje, një seancë ku futbollisti do të mungojë. Pas publikimit të këtyre provave,te Kili ringjallen shpresat për të hyrë në Botërorin e Katarit në vend të Ekuadorit.

Ronaldo refuzoi 242 mln euro/ Portugezi refuzoi transferimin tek Al Hilal për shifrën rekord

Cristiano Ronaldo nuk përjetoi një verë të qetë, gjatë gjithë periudhës së merkatos portugezi ishte në qendër të vëmendjes së medias për largimin e mundshëm nga Manchester United. Në fakt 37-vjeçari e dëshiroi këtë largim por opsionet që iu dhanë si destinacion i mundshëm nuk ishin ato të dëshiruarat.

Por pak javë pas mbylljes së merkatos mësohet se Cristiano Ronaldo kishte marrë një ofertë të majme. Sipas rrjetit CNN në Portugali, sulmuesi refuzoi një ofertë marramendëse prej 242 milionë Eurosh nga skuadra e Al Hilal në Arabinë Saudite, me këtë të fundit që i ofroi Ronaldos një kontratë dy vjeçare.

Me këtë kontratë, Ronaldo do të përfitonte më shumë se 2 milionë euro në javë, por futbollisti e refuzoi këtë ofertë

Mbappe-PSG, lidhje e brishtë/ L’Equipe zbulon klauzolë e fshehtë në kontratën e rinovuar të yllit francez

Në muajin maj, Paris Saint Germain bëri të ditur me entuziazëm rinovimin e kontratës me Kylian Mbappe. Në komunikatën e kampionëve të Francës thuhej se sulmuesi kishte firmosur deri në vitin 2025, por mediat franceze në  orët e fundit zbuluan se në të vërtetë Mbappe ka rinovuar me paris Saint Germainin për 2 vjet dhe jo për tre.

Është e përditshmja ‘L’Equipe’ ajo që flet për këtë truk në rinovimin e kontratës së Mbappe teksa thekson se Mbappe ka firmosur për 2 vjet deri në 2024 me opsion edhe për 1 vit tjetër që mund ta ekzekutojë vetëm futbollisti dhe jo klubi.

E përditshmja e njohur franceze bën të ditur gjithashtu se Paris Saint Germaini gjatë sezonit 2023/2024 do të duhet të vendosë të largojë futbollistë për të bindur Mbappe që të rinovojë deri në 2025, ose do të lejojë Mbappenë të largohet në 30 qershor të 2024

Javën e kaluar, Mbappe refuzoi t’i përgjigjej pyetjes nëse klubi i mbajti premtimet e merkatos që iu bënë për të rinovuar kontratën. me fjalë të tjera, telenovela Mbappe është e qartë se nuk është mbyllur, përkundrazi pritet të ketë një sezon të ri të saj