Aktualitet Politikë

Çështja McGonigal, grupi Alibeaj kërkon interpelancë urgjente me kryeministrin Rama/Pret përgjigje për disa pyetje!

Grupi Alibeaj në Partinë Demokratike kërkon interpelancë urgjente në Kuvend me kryeministrin Edi Rama. Kjo në lidhje me çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, i akuzuar në Amerikë për fshehje të të ardhurave, deklarime të rreme dhe falsifikim dokumentesh apo të dhënash.

Ditën e martë, datë 24 Janar 2023, jemi njohur me akt-padinë e Jurisë së Madhe të Distriktit të Kolumbias, datë 15.09.2022, për çështjen penale Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Charles F. McGonigal, ndaj të cilit rëndojnë akuzat penale për fshehje të të ardhurave, deklarime të rreme dhe falsifikim dokumentesh apo të dhënash.

Në përmbajtje të kësaj akt-padie përshkruhen disa veprimtari të kryera nga shtetas shqiptarë, përfshirë Z.Edi Rama, me detyrë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Z.Agron Neza, mik i Kryeministrit dhe Z.Dorian Duçka, këshilltar jozyrtar i Kryeministrit. Konkretisht, sipas të dhënave të akt-padisë, Z.Neza i ka paguar ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI-së, Z.McGonigal shumën prej 225.000 dollarësh, me qëllim që ky të ushtronte autoritetin e tij për të filluar një çështje penale ndaj lobistit amerikan të Partisë Demokratike. Informacionet dhe të dhënat janë ofruar nga zyra e Kryeministrit shqiptar. Ndërkohë, nga të dhënat e akt-padisë rezulton se Z.Neza dhe Z.Duçka kishin interesa të drejtpërdrejta në dhënien e liçencave për sektorin e naftës në Shqipëri.

Në mediat shqiptare janë publikuara të dhëna dhe dokumente zyrtare që provojnë se Z.McGonigal dhe Z.Neza janë bërë ortakë të një studioje ligjore shqiptare, e cila ishte në pronësi të Z.Shefqet Dizdari. Ky i fundit rezulton që në vitin 2018, nëpërmjet kompanisë së tij “TransOil Group” sh.a., më pas “TerraOil Swiss” sh.a., të ketë përfituar koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë.

Referuar vendimit nr. 781, datë 27.06.2019 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, rezulton se përzgjedhja e kësaj kompanie është kryer nën favorizim dhe shkelje të barazisë në tendera, duke i sjellë Buxhetit të Shtetit një dëm të përllogaritur në vlerën 300 milion dollarë.

Faktet dhe provat e mësipërme dëshmojnë qartë se personat e përfshirë kishin tre qëllime: (i) Për Kryeministrin Edi Rama, fillimi i një çështjeje penale për lobistin amerikan të angazhuar nga Partia Demokratike; e cila më pas do të shërbente për fillimin e një hetimi penal nga autoritetet shqiptare; (ii) Për Agron Nezën dhe Dorian Duçkën, përfitimi i liçencave koncesionare në sektorin e naftës; dhe (iii) Për agjentin McGonigal, përfitimi i shumës 225.000 dollarë dhe të tjera fitime nga bizneset në Shqipëri. Të tre këto qëllime janë realizuar nëpërmjet mjeteve të paligjshme.

Në këto kushte ngrihen disa pyetje, të cilave deri më tani Kryeministri Edi Rama ka refuzuar t’u japë përgjigje:

(i) Kush janë personat, të cilët kanë qenë në katër takimet, e cituara në akt-padi? (ii) Cfarë është diskutuar gjatë këtyre takimeve? (iii) Si e takoi Kryeministri, zyrtarin e lartë të FBI-së, si një person privat që kishte ardhur jashtë funksionit apo si një person i dërguar nga FBI? (iv) Nëse e ka takuar si person privat, përse ka diskutuar me të çështje që lidhen me koncesionet e naftës? (v) A ka qenë pjesë e këtyre bisedimeve sulmi i stisur ndaj Partisë Demokratike për financime ruse? (vi) Si shpjegohet që menjëherë pas takimeve me Kryeministrin, agjentit të FBI-së i janë paguar 225.000 dollarë? (vii) Si shpjegohet që menjëherë pas takimeve me Kryeministrin, agjenti i FBI-së inicion hetimin penal për lobistin amerikan të Partisë Demokratike? (viii) A mundet Kryeministri të provojë se Agron Neza nuk ka vepruar i porositur prej tij, kur ka deklaruar se kishte informacion mbi lobistin e Partisë Demokratike, të marrë nga zyra e Kryeministrit shqiptar? (ix) Kush janë funksionarët e zyrës së Kryeministrit që kanë dërguar të dhëna dhe informacione për fillimin e kësaj çështjeje penale? (x) Cili ishte burimi i drejtuesve të Partisë Socialiste që flisnin për një çështje penale ndaj lobistit amerikan të Partisë Demokratike, ndërkohë që çështja ishte nën hetim dhe mbulohej nga sekreti hetimor? (xi) Çfarë natyre kanë pasur marrëdhëniet e Kryeministrit me Z. Dorian Duçka? (xii) Cila është arsyeja që ky shtetas është pajisur me pasaportë diplomatike dhe me një email qeveritar, në një kohë që ishte i angazhuar në një aktivitet privat? (xiii) Pse qeveria shqiptare ka shkelur ligjin për t’i dhënë koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse një kompanie të lidhur me Z.Neza dhe Z. McGonigal? (xiv) Pse qeveria shqiptare i ka dhënë koncesione dhe statusin e investitorit strategjik oligarkut rus, Oleg Deripaska, pas vendosjes nën sanksione amerikane?

Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me pyetjet e mësipërme, në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në mbështetje të nenit 80, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 97, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin Edi Rama.