Aktualitet

Çështja McGonigal shkakton tensione të forta në Kuvend, mbyllet seanca!

E shkurtër, por e vrullshme ishte seanca e sotme plenare ku nuk munguan tensionet e forta që çuan në mbylljen e saj. Demokratët kërkuan që rendi i ditës t’i kushtohej zhvillimeve të fundit nga Amerika ku nën hetim është vënë një ish-zyrtar i FBI-së, i akuzuar se mori 225 mijë dollarë nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare. Charles McGonigal ka patur kontakte të shumta me biznesmenë, ish-zyrtarë dhe zyrtarë shqiptarë.

Kur maxhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për ndryshimin e rendit të ditës, për të diskutuar mbi lidhjen e kryeministrit Edi Rama e këshilltarëve të tij me McGonigal, Sali Berisha e disa deputetë demokratë bllokuan foltoren. Kryeparlamentarja Nikolla përjashtoi nga seanca Berishën e vijoi me rendin e ditës, çka nuk e pengoi kreun demokrat që të vazhdonte të fliste nga foltorja duke e transmetuar fjalimin live në rrjetet sociale. Ai akuzoi kryeministrin se pagoi ish-zyrtarin e FBI-së për të dëmtuar opozitën.

Këto ditë Shqipëria gjendet në epiqendrën që do poshtëronte çdo vend të madh. Kryeministri i Shqipërisë, këshilltarë të tij janë të implikuar direkt, në një aferë korruptive, në korruptimin e njërit prej njerëzve me njohuri më të jashtëzakonshme, më sensitive në SHBA për sigurinë e këtij vendi, por dhe sigurinë e vendeve të lira.

Prej muajsh, një juri ka urdhëruar hetimin e  çdo SMS-je, takimi, udhëtimi, dhurate, email-i dhe gjithçka tjetër midis McGonigal, Dorian Duçkës, Agron Nezës dhe Edi Ramës. Kjo juri e citon në vendimin e saj në mënyrë të përsëritur Edi Ramën dhe vetëkuptohet se për të bërë një kontroll të tillë, s’bëhet pa vendosur nën hetim personat për të cilët citohet.

Skandali shpërtheu në mënyrën më të fuqishme, pas arrestimit të McGonigal, ky njeri i pafytyrë, pa karakter që ka shkelmuar interesat e vendit të tij, mori porosoi me para’ nga zyra e Ramës për të hetuar lobimin e opozitës për të manipuluar. Ne qëndrojmë sot dhe deri pasnesër në drekë.

Ky kryeministër ka kryer një krim të shëmtuar, ka keqshfrytëzuar një njeri pa karakter, në vend që ta denonconte. E ka përdorur për qëllime të pushtetit të tij, kundër opozitës për manipulime kundër saj. Kjo ndodh vetëm në Korenë e Veriut.   Edi Rama të vijë këtu ose të shpallë dorëheqjen e të dëshmojë në SHBA.

Praninë e Ramës e kërkoi edhe Alibeaj:

Kërkesa i drejtohet Ramës që sot do duhet të jetë prezent. Ajo karrige s’mund të rrijë bosh. Për një arsye, se ne s’mund të bëjmë sikur s’ka ndodhur gjë kur gjithë Shqipëria gumëzhin.Thirrja për të qenë prezent Rama, kryeministri, se ai njeri është strumbullari i një skandali korruptiv, duhet të japë sqarime në Parlament, ky është vendi ku duhet të jetë prezent.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkoi respektimin e rregullores së Kuvendit. Balla u shpreh se “drejtësia amerikane ka marrë vendim duke arrestuar McGonigal”, ndërsa mohoi kategorikisht akuzat ndaj kryeministrit Rama dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar.