Aktualitet

Çfarë do të bëhet këtë vit për fermerët e blegtorët? Ja përgjigjja e ministres Krifca!

Sot në analizën vjetore dhe prezantimin e objektivave të dikasterit që drejton për vitin 2023, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u pyet për mënyrën si do të zgjidhen problemet. Po ashtu, iu kërkua të tregonte mënyrën si do të ndihmohen fermerët dhe blegtorët, që vazhdimisht kanë raportuar për mungesë tregu dhe mungesë mbështetjeje. Duke pasqyruar kërkesën e blegtorëve që duan të mbështeten për çdo litër qumësht, gazetarja e Top Channel, Rudina Muça pyeti ministren se çfarë do të bëhet për ta këtë vit?

Rudina Muça: Në vitin 2022 nisi dhe eksporti i mishit drejt vendeve të Arabisë Saudite. Fermerët kërkojnë që të mbështeten në një formë tjetër: lekë për litër qumësht. Cila është sfida që do të bëni në vitin 2023, për të ndryshuar fatin e blegtorëve?

Frida Krifca: Blegtoria është një sektor sfidues, por kemi orientimin e qartë për ta mbështetur ashtu siç bëmë gjatë vitit 2022. Aktualisht jemi në një analizë të sektorit. Jemi duke komunikuar me blegtorët, për të gjetur politikat e mbështetjes. Jemi në një komunikim të hapur me sektorin, shumë shpejt do të kemi një vendim të Këshillit të Ministrave.

Gazetarja u ndal te vaji i ullirit, ndërsa vazhdimisht Top Channel e në media janë raportuar deklarata të fermerëve që ankohen e thonë se ka mungesë tregu dhe se nuk mund të eksportojnë prodhimin e tyre.

Rudina Muça: Perimet dhe frutat. Perimet e kanë zgjeruar hartën e shteteve ku po eksportohen. Por, dua të mbetem te ulliri. Kur do të jetë gati Shqipëria të eksportojë vajin e ullirit, që duhet thënë është produkt bujqësor. Jo vetëm vaji, por dhe produkte të tjera.

Frida Krifca: Aktualisht, ne kryejmë eksport të ullirit. Jemi duke ndihmuar fermerët për të bërë certifikimin që të mundësohet eksporti. Mirëpres ministrin italian në muajin mars, ku besoj se do të lidhim një marrëveshje në të cilën ulliri do të ketë pjesën e vet./Top Channel