Fashion Gossip Health & Beauty

Çfarë mesazhi fshihet pas syve të nxirë të modeleve të Chanel në Javën e Modës në Paris…

Prej disa ditësh Parisi është kthyer në kryeqytetin mikpritës të ‘Haute Couture’. Shtëpitë më të mëdha të modës kanë paraqitur koleksionet e tyre pranverë-verë 2022 nën magjinë e efekteve vizuale, por edhe zgjedhjeve të guximshme si përshembull ajo e “Chanel”, që hapi sfilatën me Charlotte Casiraghi e cila u shfaq në pasarelë më kalin e saj, Cousco.

E veshur me një xhaketë Chanel me tegela dhe një helmetë të zezë, modelja e njohur u shfaq mbi kalë, duke ecur në pasarelë shoqëruar nga një performancë live nga muzikanti Sébastien Tellier. Casiraghi, e cila është gjithashtu mbesa e ikonës së Hollivudit, Grace Kelly, u zbulua si ambasadore e markës Chanel në vitin 2020, pasi kishte modeluar më parë për Gucci dhe Saint Laurent.

Dhe duke u ndalur te “Chanel”, më shumë se veshjet të gjithë po flasin për grimin e modeleve. Shumë prej tyre u shfaqën në pasarelë me një sy të nxirë. Po përse kjo zgjedhje? Një detaj i frymëzuar nga stili gotik apo një mënyrë për të denoncuar dhunën ndaj gruas? Chanel ka provokuar gjithmonë me propozimet e saj të modës, por këtë herë duket se të gjithë vëmendjen po e merr nga makeup-i.

Kjo zgjedhje po shkakton një zhurmë të madhe në rrjetet sociale, duke ndezuar shumë debate. Shumë mendojnë se Chanel donte të denonconte ndoshta në mënyrë të heshtur dhunën me bazë gjinore, një mënyrë për të thënë:

Kësaj here është vetëm grim, por kjo u ndodh shumë grave e vajzave.

Ka nga ata që mendojnë se referencat mund të jenë krejt të tjera, që nga stili punk te varrezat gotike, nga piratët te kafkat meksikane. Rikujtojmë se presioni ndaj markave për të ndërmarrë veprime të mëtejshme kundër mizorisë ndaj kafshëve është rritur për vite me radhë. Chanel dhe Prada njoftuan se do të ndalonin përdorimin e gëzofit, respektivisht në vitet 2018 dhe 2019.