Celebrities Live From Tirana

Çfarë ndodhi kur rrjetet sociale pësuan rënie?/Teri Jaupllari rrëfen për TAR çfarë ndodhi me TikTok-un e saj!

Ditën e sotme e ftuar në emisionin “Live from Tirana” ishte Teri Jaupllari, e cila njihet për videot e saj shumë të shikuara në rrjetin social TikTok. Sot u fol për rënien e Facebook, Instagram dhe Whatsapp dhe se si njerëzit gjetën ngushëllim tek aplikacionet e tjera si TikTok. E pyetur nga prezantuesi i emisionit Elios Shuli se çfarë po bën Teri me jetën e saj, ajo tregon se:

Jam në pikën ku po provoj diçka të re dhe mendoj se ky është drejtimi i duhur që duhet të ndjek. Në përgjithësi feedback-u është pozitiv sepse unë përpiqem të bëj humor dhe ironi. Në fakt në fillim e kisha shumë inat TikTok-un si aplikacion, më dukej shumë humbje kohe dhe videon e parë nuk e postova fare me synimin që do të ecë. Më pas fillova të bëja ‘scroll’, ka qenë periudha e karantinës kur e kam hapur. Fillova të shikoja sa bukur i realizonin dhe i editonin njerëzit videot, përfshnin 2 ose 3 personazhe me veten e tyre dhe kështu nisa edhe unë. Nga situatat që ndodhnin në karantinë që ishin aktule, i bëja edhe unë. Njerëzit filluan të bëjnë më shumë follow, komente, shpërndanin videot e mia.

Sa i përket videos së parë të realizuar nga Teri, çfarë ka ajo për të thënë në lidhje me këtë?

Ka qenë një video me këngën e Dua Lipës, isha duke shtrydhur lëng portokalli dhe në atë kohë sapo kishte nisur karantina dhe njerëzit thonin se portokalli ka vitaminën C, mbusha dhe një gotë të vogël raki dhe i hodha lëngun e portokallit që të ishte dyfish mbrojtja (qesh).

Në momentin që aplikacionet ngecën, Teri tregon se çfarë ishte duke bërë…

Të gjithë u ngushëlluan tek TikTok-u që mori shumë vëmendje në ato 5-6 orë sa zgjati ngecja. U mërzita pak me thënë të drejtën, sepse ishte koha e përshtatshme për postime, por unë po merresha me punë të tjera jo teknologjike dhe sikur nuk e ndjeva shumë. Në TikTok shikueshmëria ishte shumë e lartë dhe postova një video që në shumë pak minuta arriti të marrë shumë like dhe shumë shikime sepse të gjithë njerëzit ishin atje. Mami dhe motra kanë biznese dhe faqet online nuk funksiononin dhe ishte më problem për ta sesa për ne si krijuese.

A fiton Teri nga videot që poston në TikTok dhe çfarë e shtyn të merret me këto video? Për më shumë ajo na flet vetë:

Në TikTok është shumë e papërfillshme, përshembull 100 mijë ose 200 mijë shikime shkon maksimumi 2 euro. Shikoj që të gjithë njerëzit janë negativë, vetëm ankohen, të demoralizuar edhe nga shumë gjëra të vogla. Unë kam përgjegjësinë që duhet t’ju tregoj anën pozitive të gjërave, t’i bëj të qeshin, të kujtohen që nuk është jeta bardh e zi. Një person që shkruan komente negative, ka pasiguri që t’i transmeton ty. Në fillim kisha pak followers dhe ndihesha shumë më e sulmuar drejtpërdrejt. Kurse tani që kam më shumë followers është më ndryshe sepse nuk ju kushtoj shumë rëndësi. Megjithatë, mundohem që të mos ndikohem shumë.

Elosi e pyet nëse ka ndodhur ndonjëherë që t’i kenë marrë videot pa leje dhe çfarë masash mund të ketë marrë Teri?

Në fakt ka ndodhur në Instagram nga faqet e memeve por megjithatë, nuk e kam pasur shumë problem. Dilte emri im i TikTok-ut dhe ishte më shumë në benefit timin le të themi. Kurse ajo që më shqetëson më shumë është se, në TikTok, përdorin fiks idenë dhe fjalët e mia dhe nuk japin kredenciale që unë e kam pasur idenë kryesore por thjesht e marrin si të vetën dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm me mua.

Elios e pyet se cili është një TikTok që Teri nuk do e bënte asnjëherë dhe kush është TikTok-u i ëndrrave?

Videot që tregojnë vetëm trupin nuk më pëlqejnë. Duke vrapuar në ndonjë shesh jashtë shtetit në Milano përshembull. Në fakt, do të doja të bëja një TikTok me mamin tim por ajo nuk do (qesh).

Pasi Teri në këto momente telefonon nënën e saj, Elios e pyet se përse ajo nuk dëshiron të bëjë TikTok. Ajo shprehet se:

Nuk më pëlqen shumë të dalë në TikTok. Në përgjithësi mua më pëlqejnë videot e Terit, por unë gjithmonë e këshilloj që ajo të kapë gjërat që në rrethin shoqëror ne nuk na pëlqejnë. Nuk dua t’i ekzagjerojnë gjërat.

Nëse rrjetet sociale do të ndalonin, si do të funksiononte Teri në aspektin e personazhit, reklamave, audiencës?

Nëse nuk do të kishte rrjete sociale, reklamat do të ishin vetëm në televizion, radio. Në fakt e kam menduar të bëj një emision por është thjesht një mendim. Përshembull, një kanal në Youtube ose një podcast, për tema të ndryshme, por e mendoj se mund të ndodhë në një të ardhme.

Teri e mbyll emisionin me një këshillë drejtuar të gjithë dashamirësit e saj…

Do t’ju thoja që të jenë gjithmonë vetja e tyre dhe të mos ndikohen nga asnjë lloj komenti pozitiv apo negativ. Të mos shtiren si dikush që nuk janë dhe të mos dalin komplet nga vetja e tyre.