A Live Night Celebrities Gossip Showbiz

Çfarë ndodhi me Albanin pas suksesit në Top Fest?

‘A Live Night’ erdhi edhe këtë të shtunë me një nga artistët padyshim më të dashur të publikut. Jo vetëm për muzikën dhe artin e mirë që sjell, por Alban Skënderaj ka ruajtur gjithmonë një imazh shumë të pëlqyer nga audienca të të gjitha moshave prej vitesh. Këngëtarin dhe producentin e kemi parë shumë rrallë në dalje televizive apo intervista, ndaj kjo e ‘A Live Night’ ka rrëfime shumë speciale dhe të padëgjuara  më parë nga artisti.

Pas suksesit të madh kur fitoi Top Fest, Alban Skënderaj tregoi se si vazhdoi karriera e tij dhe sa punë duhej për të arritur këtu ku është sot.

Nga ai moment nuk kam ditur më asgjë dhe nuk kam pretenduar më asgjë. Pastaj ndodhi që këngën e kam dëgjuar në Top Channel, e pëlqyen shumë, më morën në telefon. Mbaj mend që ishte një histori me Dritan Hoxhën, i cili u dashurua shumë me këngën, por mbaj mend që ashtu si ishte ai shumë i apasionuar, shumë impulsiv, sidomos ndaj artit, mbaj mend që kishte marrë babin tim në telefon shumë entuziast dhe kishte folur rreth 40 minuta në telefon ‘është një këngë e mrekullueshme, djali jot ka shumë talent’ dhe kur më thotë babi që më ka marrë presidenti i Top Channel, thashë duhet të kenë bërë ndonje shaka me siguri. Kënga pati pastaj një impakt të menjëhershëm. Më është dashur të punoj 10 herë më shumë për këngët e mia se sa ti realizoj për të mbajtur atë presion që erdhi nga hiçi. Jam munduar gjithmonë të jem shumë modest, shumë falenderues dhe të punoj. Mbaj mend menjëherë ditën e nesërme pasi fitova Top Fest-in, ika në Itali te familja ime, u ktheva sepse bëra një marrëveshje me Top Channel për albumin dhe pasnesër isha në studio duke realizuar albumin dhe duke kompozuar. Nëse dikur një talent bënte diferencën, sot talente ka shumë sepse është një gjë që te njerëzimi evoluon, shtohet talenti, bëhet më e lehtë. Nëse do dilnim në rrugë të kërkonim njerëz me super talent dhe njerëz me super vullnet, jam i bindur që do ishte më e vështirë të gjenim njerëz me super vullnet. Normalisht, pasi fitova Top Fest pikëpyetja më e madhe kjo ishte, a ishte thjesht një hit që do mbaronte aty, a isha thjesht një ‘fluskë sapuni’ apo kisha për të dhënë dhe të treguar shumë. Kishte plot që paragjykonin, kishte plot që nuk prisnin shumë nga unë. Kjo ka qenë një shtysë e jashtëzakonshme për mua që të vazhdoj dhe të sfidoj veten, por gjithmonë duke ruajtur një grimcë identiteti. Momenti ndoshta më kulmor në kuptimin e vetëdijes, kur isha një artist i pjekur dhe i ndërgjegjshëm është koncerti në Pallatin e Kongreseve, ai është për mua ndoshta momenti më kulmor, sepe ishte një arritje dhe një thyerje akulli shumë e madhe për mua. Një eksperiencë e lodhshme, por e bukur dhe e cila më dha një energji të re, një dëshirë, një perspektivë të re në mënyrën si e shoh veten në vitet në vazhdim.