Bota

Çfarë po ndodh? Lukashenko urdhëron krijimin e komandës së re ushtarake në kufi me Ukrainën

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ka urdhëruar krijimin e një komande të re ushtarake për jugun e vendit, në kufi me Ukrainën, sipas Sky News.

Duket se vendi planifikon të vendosë trupa të operacioneve speciale në tre zona pranë kufirit të tij jugor me Ukrainën.

Lukashenko ka folur gjithashtu për rolin e raketave të prodhuara nga Rusia në rritjen e mbrojtjes së vendit të tij, tha Reuters.

Më herët, ushtria e Ukrainës ka deklaruar se forcat ruse kanë sulmuar më shumë se 40 qytete në rajonet lindore Donbas dhe Luhansk.

“Pushtuesit qëlluan në më shumë se 40 qytete në rajonin Donetsk dhe Luhansk, duke shkatërruar ose dëmtuar 47 vende civile, përfshirë 38 shtëpi dhe një shkollë. Si rezultat i këtij bombardimi pesë civilë vdiqën dhe 12 u plagosën”, tha në Facebook Task Forca e Përbashkët e Ukrainës e forcave të armatosura.

Në muajin e kaluar, Rusia ka vendosur fokusin e saj në marrjen e kontrollit të plotë të rajonit të Donbasit.

Rusia ka dërguar mijëra trupa në rajon, duke sulmuar nga të tria anët në një përpjekje për të rrethuar forcat ukrainase që qëndrojnë në qytetet Severodonetsk dhe Lysychansk. Rënia e tyre do ta linte të gjithë provincën Luhansk nën kontrollin rus, një synim kryesor i luftës së Kremlinit.

Të dielën, Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Gaidai, akuzoi Rusinë për miratimin e një “qasjeje të tokës së djegur”, në përpjekjet e saj për të kapur Severodonetsk.

Gaidai paralajmëroi se forcat ruse kanë shkatërruar gjithçka, përveç një ure, mbi lumin Donets dhe tha se qyteti është në rrezik të shkëputjes.