Bota

Çfarë po ndodh me pandeminë?! Biden thërret takimin e nivelit të lartë!

Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se gjatë dy viteve të fundit gati 15 milionë njerëz humbën jetën nga koronavirusi, ose si pasojë e sistemeve të mbingarkuara shëndetësore, presidenti Biden do të mbledhë në një takim të nivelit të lartë udhëheqësit botërorë.

Takimi, që do të zhvillohet online, ka si qëllim të diskutojë hapat e ardhshëm në betejën kundër pandemisë.Në Shtetet e Bashkuara, vaksinat, testet dhe terapitë kundër COVID-19-ës janë gjerësisht të disponueshme. Presidenti Joe Biden kërkon të ndihmojë edhe pjesën tjetër të botës dhe për këtë ai do të mbajë një takim virtual sa i përket situatës së pandemisë. Uashingtoni ka premtuar se do të dhurojë 1.2 miliardë doza vaksinash; tashmë 535 milionë prej tyre janë dorëzuar.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki njoftoi se gjatë këtij takimi do të diskutohet për vaksinat.

“Ky takim do të diskutojë për mbrojtjen e personelit mjekësor, rritjen e funrizimeve me oksigjen si dhe ndihma të tjera mjekësore. Të gjitha këto do të diskutohen gjatë këtij takimi”, tha ajo.

Do të ketë gjithashtu diskutime për rritjen e testimeve dhe vaksinimeve. Siç mëson Zëri i Amerikës, Uashingtoni do t’u kërkojë vendeve të pasura të rrisin fondet për pandeminë. Megjithatë, vetë Uashingtoni do të jetë duarbosh në këtë takim.

Kongresi ende nuk e ka miratuar kërkesën e zotit Biden për 5 miliardë dollarë, për programin amerikan në ndihmë të vendeve të tjera.

“Kjo është politika e brendshme. Paraqitja në skenën botërore do të jetë një sfidë, nëse nuk merr angazhime të reja të rëndësishme”, thotë Krishna Udayakumar, nga Qendra Inovatore “Duke Global Health”.

Takimi thonë ekspertët është gjithashtu një shans për të shkëmbyer praktikat më të mira. Vendet afrikane, të cilat kanë përvojë të gjerë me sëmundje të tjera të transmetueshme si HIV, tuberkulozi dhe Ebola, kanë disa pika të forta në shëndetin e tyre publik.

“Ne nuk mund të kemi vetëm një zgjidhje që mund t’i përshtatet të gjitha këtyre situatave të ndryshme. Pra duhet të dëgjodh dhe të kuptosh. Në vende të ndryshme, partnerët tanë kanë gjetur zgjidhje të ndryshme. Pra ne duhet të mësojmë prej tyre”, thotë Dr. Thierno Balde, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Gjatë dy viteve të para të pandemisë, vendet e pasura grumbulluan vaksina, duke kërcënuar furnizimet për vendet më të varfra. Ndërsa tani bota po kalon në një fazë tjetër, aktivistët thonë se nevojitet një koordinim më i mirë për të siguruar qasje të barabartë tek vaksinat.

“Frika jonë, bazuar në atë që ka ndodhur në këtë vend (SHBA) dhe vendet e tjera është se kjo nuk do të ndodhë”, thotë Tom Hart, Drejtues i organizatës ndërkombëtare “One Campaign”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se gjatë dy viteve të fundit gati 15 milionë njerëz humbën jetën nga koronavirusi, ose si pasojë e sistemeve të mbingarkuara shëndetësore, më shumë se dyfishi i numrit zyrtar prej 6 milionë vdekjesh nga COVID në botë. Shumica e vdekjeve janë identifikuar në Azinë Juglindore, Evropë dhe kontinentin amerikan.