Botë e Çuditshme Gossip

Çfarë pritet të ndodhë me fatin e çelësit të qelisë së Nelson Mandelës?!

Së fundmi, ministri i Kulturës në Afrikën e Jugut ka deklaruar se çelësi i qelisë së burgut të Nelson Mandelës në ishullin Robben nuk do të dalë në ankand për t’u shitur, por do të kthehet aty ku i përket. Ankandi ishte parashikuar të mbahej në Nju Jork më 28 janar derisa ministri i Kulturës i Afrikës së Jugut, Nathi Mthethwa e kundërshtoi këtë gjë. Ministri tha disa kohë më parë se:

Ky çelës i përket popullit të Afrikës së Jugut.

Mthethwa tha se shtëpia e ankandeve të Guernsey kishte rënë dakord të dërgonte çelësin në Afrikën e Jugut dhe gjithashtu të ndalonte shitjen e sendeve të tjera që i përkisnin Mandelës.

Ju rikujtojmë se shtëpia e mëparshme e Nelson Mandelës tanimë është kthyer në një hotel butik. Vizitorët do të mund të përjetojnë çaste nga jeta e liderit të ndjerë të Afrikës së Jugut në Johanesburg. Godina është e rrethuar nga kopshte dhe hapësira të mbushura me ekspozita të kuruara në mënyrë perfekte që ngjallin kujtimet e fituesit të Çmimit Nobel për Paqe.

Dimitri Maritz, menaxher i përgjithshëm tha se:

Duam t’iu tregojmë anë të Madibës që nuk i keni parë ndonjëherë, gjithashtu edhe t’iu mësojmë disa gjëra që mbase si keni ditur më parë. Është dhe një prezantim për Fondacionin Nelson Mandela, në arkivin e së cilit ndodhen vepra të bukura arti dhe kjo është një mundësi për t’i ekspozuar këto vepra.

Hoteli u hap zyrtarisht në shtator 2021 dhe në të përfshihen 9 dhoma gjumi, duke përfshirë suitën presidenciale, dy dhoma takimesh, restorant, bar, pishinë dhe një kopsht të mrekullueshëm. Çdo cep i hotelit është parashikuar të ofrojë kombinimin e përsosur të qetësisë, trashëgimisë dhe përvojave shpirtërore.

Vlen të theksojmë se disa vite më parë në një ankand në Nju Jork, u shit për mbi 112 mijë dollarë një vizatim i Nelson Mandelës, i nisur në kohën kur presidenti i ndjerë i Afrikës së Jugut mbahej i burgosur në ishullin Robben. Mandela vizatoi qelinë e burgut, ku vuante dënimin me 27 vjet heqje lirie. Regjimi racist i aparteidit e shpalli fajtor për sabotazh e konspiracion, ndërsa 11 Shkurti i 1990-ës shënoi një ditë historike pasi Nelson Mandela fitoi lirinë. Vizatimin me titull “Dera e qelisë” e përfundoi në 2002-shin.