Aktualitet

Çfarë thuhet në dosjen sekrete për arratisjen e Aleksandës Kondos…

Publikohet historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Quens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni.

Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.

Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës dhe në krah hedhur çantën e sportit, e në supin tjetër një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit, kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.

Emri i Aleksandër Kondos si sportist filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra  sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo kohë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.

Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.

Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.

Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë gjë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqsuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.

Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri  në vitin 2003.

Të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, pasi për Aleksandër Kondon si legjenda e peshëngritjes shqiptare është shkruar shumë dhe babai i tij, Vangjel Kondo, ka dhënë disa intervista si në median e shkruar dhe vizive, madje janë bërë dhe disa dokumentarë televizivë, për të gjithë jetën dhe historinë e tij, deri ditën që u nda nga kjo jetë. Por përsëri, “Çështja Aleksanër Kondo”, ende nuk është zbardhur plotësisht, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me vdekjen e tij tragjike e cila vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, si dhe survejimin që i është bërë atij nga ana e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe segmenteve të tij që në vitin 1981, gjë e cila u bë publike për herë të parë nga ana e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e drejtuar nga znj. Gentjana Mara Sula, e cila në vitin 2018, i dorëzi dosjen familjes Kondo, apo më saktë babait të tij, Vangjel Kondo.

Në atë dosje që z. Vangjel Kondo i’a ka besuar eksluzivisht për botim Memorie.al, hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra.

Të dhënat biografike të Aleksandër Kondos në dosjen e Sigurimit të Shtetit në vitin 1982

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 12.1.1982

VËRTETIM BIOGRAFIK I KOMPLIKUAR

E bërë për Degën e VIII të M.P. të Brendshme, e kërkuar nga p.op. P.P. (për klubin sportiv “Dinamo”)

ËSHTË KËRKUAR TË VËRTETOHET: Aleksandër Kondo, biografia e tij.

JANË VËRTETUAR: Aleksandër Kondo, i biri i Vangjelit dhe i Antigonit, lindur në Fier më 1960, me origjinë nënpunës i pushtetit popullor, me kombësi e shtetësi shqiptare, i paorganizuar në Parti, i padënuar, i pamartuar, me arsim 8 vjeçar, është ushtar në klubin sportiv “Dinamo”, banon në Lagjen 8, rruga “V. Pasho”, p. 27. shk. 2. ap. 25.

I përmenduri, pasi mbaroi shkollën 8 vjeçare, futet në punë, nxënës në ekonomi dhe aktualisht është ushtar, në Klubin Sportiv “Dinamo”. Karakterizohet, si djalë i urtë, i sjellshëm si në punë ashtu dhe jashtë saj, mban sjellje të mira morale.

Babai i tij Vangjel Nisi Kondo, ka lindur në fshatin Pish Poro të Fierit, në 1932. Gjatë regjimit të Zogut dhe okupacionit, nuk ka aktivitet. Pas çlirimit, ka mbaruar shkollën, ka dalë oficer dhe ka punuar në reparte të ndryshme. Aktualisht është Shef Shtabi në Gardën e RPSSH, është A.P.

Nëna e tij Antigoni Gjergj Kondo, ka lindur në Berat, në lagjen “Kushtrimi” në vitin 1937, në një familje me qëndrim të mirë politik, dhe në marrdhënie pune, njihet me sjellje të mirë moralo-shoqërore. Vëllezërit e tij, Dhimitraqi dhe Rolandi, i pari është ushtar, i dyti në marrdhënie pune, dhe janë me sjellje të mira moralo-shoqërore.

Motrat e tij Valentina, Florika, dhe Lindita, e para është martuar me një oficer nga Fieri, i cili është shoqërues në Drejtorinë e II të M.P. të Brendshme, dy të tjerët janë në shkollë. Ka një xhaxha, Shef Policie në DPB të Gjirokastrës, është A.P.

Karakterizohet se: Gjatë regjimit të Zogut, nuk janë marrë me politikë, gjatë okupacionit kanë simpatizuar Luftën Nacionalçlirimtare. Mbas çlirimit e aktualisht, mbajnë qëndrim të mirë moralo-politik e shoqëror. Të burgosur, të dënuar, dhe të arratisur jashtë shtetit, nuk del që të ketë njeri.

Të dhënat për përpilimin e kësaj biografie janë marrë nga M.P. dhe V.P. të cilët i njohin në bllok, i njoh dhe vetë.

PUNTORI OPERATIV                           SHEFI I SEKSIONIT

B.K.                                                       R.B.

ZV/DREJTORI I PUNËVE TË BRËNDSHME

S.B.

DAKTIL

N.M.

Raporti i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, për bisedën që ka bërë bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “I penduari”, me Aleksandër Kondon, më 2 qershor 1983

E mori p. op. V.K.

E dha b.p. “I penduari”

Tiranë më 2.6.1983

EKSTRAKT

Mbi të dhënën e b.p. “I penduari”

B.p. informon se nga mesi i muajit mars, është takuar me Aleksandër Kondon tek hotel “Peza”. Gjatë bisedës me të, Aleksandri i ka nxjerrë disa monedha floriri dhe dollarë të cilat, i kishte në një portofol. Ai i propozoi B.p. që t’i gjente disa të tjera pasi i duheshin, se do të dilte jashtë shtetit me ekipin e shtangistëve të “Dinamos”.

Gjithashtu Aleksandri i tha atij se kur të dali jashtë në aeroport do të më vijë një pjestar i familjes, sikur do të më sjelli diçka për të ngrënë rrugës dhe brenda, do ketë futur dollarët dhe florinjtë. Pasi u kthye nga jashtë, Aleksandri i tha B.p. se ato plaçkat, i mora ashtu siç të thashë dhe kam marrë plot tesha, prandaj po munde të më gjesh ca të tjera, se së shpejti do të dalim sërisht jashtë shtetit.

“I penduari”

Detyra: Takohu me Aleksandrin dhe mëso se ku i ka gjetur dollarët dhe florinjtë. Si i ka justifikuar ai ato jashtë shtetit me shokët e tij.

Vlerësim: E dhëna ka vlerë operative, pasi bën fjalë për nxjerrjen e valutës jashtë shtetit.

Masa operative: E dhëna të shtypet në njëi kopje dhe t’i kalohet

p. op. H.C.

PUNTORI OPERATIV

V. K.

Dëshmia e Aleksandër Kondos para Puntorit Operativ, për revistat pornografike që morri në Spanjë, dollarët dhe substancave anabolike që përdornin peshëngritësit

Kur isha në Kampionatin Europian në Spanjë, bleva disa revista pornografike në dyqane dhe bëra gabimin më të madh që i mora këto. Këto revista pornografike unë i bleva vetëm për t’i parë për kuriozitet dhe më pas mu mbush mëndja për t’i blerë, një gabim që s’më falet. Që këto revista t’i kenë parë të tjerët, unë këtë nuk e di, por nga copat e revistave që janë hequr, me siguri që duhet të m’i ketë marrë shoku i dhomës. Unë bëra një gabim të madh dhe një budallallëk.

Këto revista, nuk kisha si qëllim që t’i ekspozoja, por thjesht i mora nga një pasion i çastit. Nuk kam ç’të them tjetër rreth këtyre. Përsa i përket anabolikëve, unë nuk e di se çdo të thonë, por kam marrë vesh që t’i kenë blerë në farmacitë tona, vetëm ato anabolizantë që merren me recetë. Përsa i përket të tjerëve, po kështu dhe mua, na është bërë kontroll nga mjekët tanë këtu nëpër gara, por dhe jashtë shtetit.

Përsa i përket dollarëve, unë nuk i kam marrë ndonjëherë prandaj edhe në doganë nuk kam pasur më tepër se 20 mijë lekë mall. Nuk jam ngatërruar ndonjëherë për këto gjëra dhe kam qenë korrekt për çdo gjë jashtë shtetit. Sa herë që kam dalë me trajnerët dhe përgjegjësat e ekipit jashtë shtetit, ata janë sjellë shumë mirë dhe më kanë mbajtur afër, dhe unë kam qëndruar në grup me shokët. Për çfarë thashë janë të gjitha të vërteta.

Dokumenti sekret në kartotekën e Sigurimit të Shtetit me listën e bashkëpunëtorëve që ndiqnin dhe survejonin Aleksandër Kondon dhe lista e familjarëve, që mund të ndiqeshin për kontrollin e tij.

Sekret

Fleta e kontrollit në kartotekë

Lutemi të kontrolloni dhe na njoftoni nëse figuron i regjistruar në evidencën operative personi i poshtë shënuar

Mbiemri – Kondo

Emri – Aleksandër

Atësia – Vangjel

Datëlindja – 1960

Vendlindja – Fier

Vendbanimi – L. 1, Rr. Haxhi Sufa, P. 2,

Uzina – elektromekanike,

Profesioni – Punëtor,

Kombësia – Shqiptare, Shtetësia – Shqiptare

Puntori Operativ

O.  F.

Tiranë më 10.5.1984

Ju njoftojmë se personi i kërkuar nga ju ka të dhëna P. op.

O.F.

Datë 11.5.1984

Lista e B.p. që e kanë pasur dhe e kanë në lidhje

“Studenti”

“I penduari”

“Dinamo”

“Shqiponja”

Lista e p.op. që drejtojnë B.P. ose njihen me materialet e dosjes.

F. Z.

Lista e lidhjeve familjare miqësore dhe shoqërore me interes operativ

Vangjel Nisi Kondo, babai, është përjashtuar nga Partia dhe ka dalë në lirim si officer.

Antigoni Gjergj Kondo, nëna.

Dhimitraq Vangjel Kondo, vëllai, njeri i çrregullt.

Roland Vangjel Kondo, vëllai, njeri korrekt.

Florika Vangjel Kondo, motra, i mire.

Lindita Vangjel Kondo, motra, i mire.

Valentina Vangjel Kondo, motra.

Lista e personave që implikohen në veprimtarinë e objektit

Xhelal Sukniqi, i arratisur

Korespondenca e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit me Hetuesinë e Përgjithshme, për Aleksandër Kondon e Xhelal Sukniqin

MINISTRIA E PUNËVE TË BRËNDSHME

Fondi: DREJTORIA I SIG.SHTETIT

Sektori: DEGA I

Model 7

Viti 1985

Dosja Nr. 85

Titulli i dosjes: KORRESPONDENCË MIDIS MPB DHE HETUESISË SË PËRGJITHSHME PËR ALEKSANDËR KONDON DHE XHELAL SUKNIQIN QË REFUZUAN TË KTHEHEN NË ATDHE.

Ka filluar më 6.6.1985

Ka mbaruar më 4.6.1985

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË BRËNDSHME

DREJTORIA E PARË

Nr. 4227

Sekret

Ekzemplar Nr. 2

Tiranë më 6.6.1985

Lënda: Për Aleksandër Kondon dhe Xhelal Sukniqin

HETUESISË SË PËRGJITHSHME

TIRANË

Më poshtë po japim disa të dhëna biografike, për të përmendurit në lëndë:

Aleksandër Kondo, i biri i Vangjelit, i lindur në Fier në vitin 1960 dhe me banim në Tiranë, i padënuar, i paorganizuar në parti, i fejuar me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me punë polic në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë. I sipërpërmenduri rrjedh nga një familje me të kaluar të mirë moralo-politike. Babai i tij është oficer në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe AP. Të tillë janë xhaxhai dhe burri i motrës. Të dënuar, të arratisur jashtë shtetit dhe internuar, nga rrethi i tij familjar dhe miqësor, nuk ka. Mbështetur më sipër për Aleksandër Kondon, është dhënë disa herë mendim pozitiv, dhe është lejuar të dalë 8 herë jashtë shtetit, me ekipin kombëtar të peshëngritjes.
Xhelal Sukniqi, i biri i Nuhit, i datëlindjes 1961, lindur në Shkodër dhe me banim po aty, me arsim të mesëm të pambaruar, punëtor, i padënuar, i paorganizuar në parti, me kombësi e shtetësi shqiptare, me punë në Uzinën e Telit në Shkodër. Xhelal Sukniqi, rrjedh nga një familje me të kaluar të mirë moralo-politike. Dy vëllezërit, motra, dy kunetërit, dhe disa kushërinj të parë, janë antar të PPSH-së. Nga rrethi i tij familjar e miqësor, nuk ka, të arratisur jashtë shtetit, të pushkatuar, të dënuar, apo internuar, me përjashtim të dajës së tij Nuh Lika, i cili ka qenë dënuar për agjitacion e propagandë, dhe që ka vdekur në vitin 1983. Mbështetur sa sipër, për Xhelal Sukniqin, është dhënë 5 herë mendim pozitiv për të dalë jashtë shtetit, nga DPB Shkodër, dhe Dega e Sigurimit të Ushtrisë.
ZV. MINISTRI I PUNËVE TË BRËNDSHME

Zylyftar Ramizi

Raporti i Sigurimit të Shtetit drejtuar Hetuesisë së Përgjithshme për udhëtimet që kanë bërë jashtë shtetit, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, për aktivitetet sportive ndërkombëtare

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË BRËNDSHME

DREJTORIA E PARË

Nr. 4227

Sekret

Ekzemplar Nr. 2

Tiranë më 6.6.1985

Lënda: Për Aleksandër Kondon dhe Xhelal Sukniqin

HETUESISË SË PËRGJITHSHME

TIRANË

Të përmendurit në lëndë, kanë dalë jashtë shtetit si më poshtë:

Aleksandër Kondo

Rumani, prej datës 18.11.1981 deri më 25.11.1981

Jugosllavi, prej datës 13.9.1982 deri më 29.9.1982

Turqi, prej datës 20.10.1982 deri më 27.10.1982

Turqi, prej datës 21.4.1983 deri më 29.4.1983

Algjeri, prej datës 11.5.1983 deri më 18.5.1983

Greqi, prej datës 16.11.1983 deri më 21.11.1983

Spanjë, prej datës 25.4.1984 deri më 2.5.1984

Poloni, prej datës 17.5.1985 deri më 28.5.1985

Xhelal Sukniqi

Jugosllavi, prej datës 13.9.1982 deri më 29.9.1982

Turqi, prej datës 20.10.1982 deri më 27.10.1982

Poloni, prej datës 17.5.1985 deri më 28.5.1985

Relacion i Sigurimit të Shtetit mbi shkaqet e arratisjes së Aleksandër Kondos

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 20.7.1985

RELACION MBI SHKAQET E ARRATISJES SE ALEKSANDER KONDOS

Aleksandër Kondo, ka qenë disa herë jashtë me ekipin e peshëngritjes. Para arratisjes, ka qenë në Spanjë dhe atje, nuk ka mbajtur qëndrim të mirë. Dhe kjo del, edhe nga relacioni që ka bërë për këtë gjë P.op. D.L. që ka shoqëruar ekipin në Spanjë.

Nga ana jonë duke njohur jo vetëm qëndrimin moralo-politik të familjes së tij, por edhe qëndrimin e tij si person, është dhënë mendim negativ për shkuarjen e tij në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që u zhvillua në maj të 1985. Ky mendim është bazuar në disa materiale e të dhëna, që kemi pasur në ngarkim të tij.

Sepse ai, ka përdorur stimulues të ndryshme gjatë garave, dhe kur ka qenë në Spanjë, ka sjellë me vete një revistë pornografike, është shoqëruar me elementë të paformuar dhe, ka qenë njeri i çrregullt e pa princip. Pas përfundimit të kampionatit në Poloni ekipi ynë, mbërriti në Titograd, ku do të priste autobuzin tonë për ti marrë.

Në atë kohë të gjithë shokët, shpërndahen. Po kështu edhe Aleksandri largohet së bashku me shokun e tij Xhelal Sukniqi, dhe nuk u kthye më tek shokët. Sesi janë larguar, nuk dihet gjë por dihet që kanë kërkuar strehim politik. Aktualisht të dy, ndodhen në Jugosllavi.

PUNTORI OPERATIV           SHEFI I SEKSIONIT TË PARË

F.Z                                        N.S.