Sport

Chelsea së shpejti me pronarë të rinj, qeveria arrin marrëveshje me Abramovich!

Pas disa javësh pasigurie për të ardhmen e Chelsea-t, qeveria britanike ka rënë dakord me ish-pronarin e saj, manjatin rus, Roman Abramovich, mbi kushtet ligjore për shitjen e ekipit, i cili do të kalojë në duart e biznesmenit amerikan Todd Boehly.

Gjatë dy dekadave të fundit, Abramovich financoi Chelsea-n me më shumë se 2 miliardë euro dhe pavarësisht se ish-pronari kishte informuar se nuk do të kërkonte shlyerjen e borxhit, në kabinetin e Boris Johnson kishte shqetësime dhe frikë se manjati rus nuk do ta mbante premtimin për të hequr dorë nga borxhet që i duheshin shlyer.

Megjithatë, sipas të njëjtave informacione nga “Sky”, Abramovich dhe këshilltarët e tij janë të bindur se propozimi i tyre i fundit për shitjen e klubit do të pranohet nga Downing Street. Një hap shumë domethënës sepse qeveria ishte pengesa e fundit për shitjen e Chelsea-t, operacion që e kishte dritën jeshile nga Premier League.

Para se të blinte ekipin anglez, Boehly duhej të kalonte “testin e pronarëve dhe drejtorëve”, një test që u bëhet pronarëve të rinj, në të cilin liga angleze analizon nëse kandidati për të blerë një klub ka ndonjë pengesë ligjore për bërë këtë./Supersport.