Zhvillimi në industrinë e automjeteve elektrike është aq i shpejtë sa që modelet e reja shpesh bëhen të vjetra brenda disa muajsh.
William Lee, drejtori dhe pronari i prodhuesit të automobilave elektrik “Nio”, ka paralajmëruar se industria po ecën me ritme të shpejta, duke përfshirë rinovimin serioz të disa modeleve çdo gjashtë muaj. Sipas tij, “nëse sistemet e vjetra nuk përditësohen, kjo do të dëmtojë shumë përdorues të vjetër.”
Së fundmi, “Zeekr” u kritikua nga pronarët e veturave për lançimin e një versioni të ri të modelit 001 vetëm gjashtë muaj pas përditësimit të fundit. Ky model i ri përfshin kompjuterë të përmirësuar dhe sisteme të avancuara të ndihmës së shoferit.
Zhvillimi i shpejtë ka sjellë disa probleme, siç janë shpenzimet e larta për një automjet që shpejt mund të bëhet i tejkaluar dhe humbja e ndjeshme e vlerës kur automjeti shitet si i përdorur. William Lee paralajmëron se industria mund të humbasë besimin e klientëve nëse vazhdon të ofrojë produkte që janë teknologjikisht të vjetra brenda disa muajsh.
Në epokën e veturave inteligjente, ndryshimi i shpejtë i konfigurimeve është një problem i madh. Prodhuesit duhet të kenë parasysh interesat e klientëve të vjetër kur prezantojnë produkte të reja
Ai beson se prodhuesit e automobilave duhet të investojnë më shumë në zhvillimin e softuerit dhe të ofrojnë përditësime për klientët e vjetër. Ky është një model që Tesla e ka ndjekur prej vitesh, duke siguruar përditësime softuerike për modelet më të vjetra deri në një kufi të caktuar.