Film & Tv

“Clifford, the Big Red Dog” një qyfyre e madhe, jo e kuqe! Seriozisht, është gallatë… Kritikë

Si adoptues i një qeni (të bardhë me përmasa normale) shoh çdo film me protagonist një qen, qoftë ai prej qimesh të vërteta (nga Lesi  te Hatchiko)  apo efektesh vizuale (Paw Patrollllll). Kur mora vesh që Cineplexx shfaqte “Clifford, the Big Red Dog”, mora tim bir dhe shkova me qejf për ta parë.

E para isha shumë i lumtur që Clifford-i nuk fliste. E dyta isha i lumtur që ideja sempliciste e filmit nuk ndiqte as ndonjë trend Holllywood-i dhe as pretendonte të ishte asgjë më shumë se një film që të ngroh zemrën dhe të argëton. Në fakt ai duket sikur është një nga të shkretat VHS të harruara të Disney-t që në vitet ’80 në botë dhe ’90 tek ne ishte fat të të binin në dorë. Walt Becker, njësoj si filmat e asaj gjenerate, ka realizuar një film jo shumë të llogaritur dhe aspak cinik, diçka që ta bën të lehtë t’i anashkalosh gabimet që bart. Personazhi kryesor, Qeni i Kuq i Madh, është po aq i vështirë për t’u kontrolluar, ndaj pranohet që për ca gjëra ta shkelësh njërin sy, aq më shumë kur mendon se fëmijët nuk do bëjnë pause dhe të thonë se kjo apo jo skenë mund të ishte bërë më mirë.

Emily Elizabeth (Darby Camp) është një vajzë e zgjuar dhe empatike, shumë e ndryshme nga bashkë-moshatarët e saj në një shkollë private në qytetin e New York-ut. 12 vjeçarja bullizohet vazhdimisht nga shoqet e saj (aka gocat e bllokut) duke e quajtur ‘food stamps’ (pabukse). Pavarësisht sërës që i përket ajo jeton me të ëmën, Maggie-n (Sienna Guillory) në një apartament të bollshëm. Sa herë e ëma shkon në udhëtimet e saj [të shpeshta] për punë, dado-ja i saj është daja Casey (një Jack Whitehall shumë argëtues), një i pastrehë i papërgjegjshëm i cili nuk ka asgjë në vijë në jetë.

Emily dhe daja, një ditë duke shkuar në shkollë shohin një tendë tërheqëse me kafshë ekzotike dhe aty takojnë një plakush misterioz, Mr. Bridwell (John Cleese), emri i të cilit është një homazh për autorin e serisë së librave me Clifford, Norman Bridwell. Mr. Bridwell, duket që ka një fuqi magjistari, dhe i tregon Emily-t një qenush të vogël, të kuq (imagjinoni një këlysh golden retriever-i që ka luajtur me një shishe ketch-up-i. [Shënim: nuk e di për ç’arsye, këlyshi duket me jo real sesa varianti i tij gjigand]. Ky qenush i vogël do të sjellë ndryshime të mëdha në jetën e protagonistes, të tilla sa asgjë nuk do të jetë më si më parë.

Na duket sikur i zgjedhim ne kafshët që adoptojmë, në fakt është e kundërta

Personazhet negativë në film janë tipiket e filmave me kartona të qëmotit, administratori i pallatit ky Emily jeton (David Alan Grier), dhe Zack Tieran (Tony Hale), drejtori i një firme të madhe që do ta rrëmbejë Clifford-in për të bërë mbi të eksperimente; një lloj Mark Zuckenberg-u, i keqi tipik i dekadës që po jetojmë” Si baba, kam parë mjaftueshëm filma, le të themi, nëpërtë, por “Clifford the Big Red Dog” të qësëndis nga fillimi në fund, edhe pse asgjë nuk të ngel në mendje, ka një magji të çuditshme a thua po përqafon një arush pellushi të butë dhe je papritmas 8 vjeç.

Do doja të ishim të rritur, dhe bota të mos na lëndonte dot më

–       i thotë Emily këlyshit të saj, diçka që mund të rezonojë me shumë fëmijë dhe ankthet e tyre lidhur me raportet në shkollë, familjet me një prind, apo edhe në të ashtuquajtura familje normale, momente të vështira që jo gjithmonë dihen nga vetë prindërit. Ndaj ‘zemra’ e këtij filmi është e madhe.

Sigurisht, ndonjëherë mund të lexohet si film patatinash, por emocionin e përçon fuqishëm. “Clifford the Big Red Dog” është historia klasike për sa ndryshe njerëz të ndryshëm u përgjigjen situatave të caktuara dhe si përpara se të gjykojmë dikë duhet fillimisht të përpiqemi t’i kuptojmë.

Clifford nuk lëndon, ai dashuron dhe është e natyrshme ta dashurosh mbrapsht nga karrigia e kinemasë, i rrethuar nga kokoshkat që ka derdhur yt bir, i përfshirë totalisht prej filmit…

“Clifford, the Big Red Dog” është duke u shfaqur në Cineplexx.