Art & Kulturë Film & Tv

“Close” Për miqësinë e pakthyeshme të fëmijërisë në një dramë zemër-thyese. Kritikë.

Regjisori belg Lukas Dhont kur debutoi në 2018 me filmin “Girl” (historia e një vajze të re trans që aplikon në një shkollë baleti) kaloi nga lavdet pa doganë tek kritikat e shumta për fetishizmin [e pretenduar] e trupit të një transgjinori. Kritikat nuk kanë qënë të pakta edhe për filmin e tij [më] të fundit, i cili ka në qëndër dy djem 13 vjeçarë; miqësinë dhe dashurinë e tyre e cila kthehet në një katastrofë të vërtetë.

Në një epokë ku çdo marrëdhënie priret të seksualizohet, Dhont kërkon të luajë kordat e agonisë edhe në një raport të pafajshëm mes dy fëmijëve. Dy fëmijë të interpretuar në mënyrë fantastike nga Gustav De Waele dhe Eden Dambrine që janë Rémi dhe Léo. Filmi që pati premierën dhe mori çmimin e madh (Grand Prix) Majin e kaluar në festivalin e Kanës, (Palma e artë i shkoi filmit që garon për Oscar-ët e të dielës “Triangle of Sadness” nga Ruben Östlund) ka gjithashtu për protagoniste dy aktore të jashtëzakonshme në rolet e mamave; Sophie – Emilie Dequenne (Fituese e Palmës së Artë në 1999 kur ishte vetëm pak me e madhe se djemtë protagonistë të “Close”,  me “Rosetta” (Vëllezërit Dardenne) dhe Nathalie (Léa Drucker). Rémi dhe Léo janë të pandashëm nga njëri tjetri. Çdo moment të ditës janë bashkë. Léo është praktikisht pjesë e familjes së shokut të tij. Ata zgjohen bashkë, hanë bashkë, luajnë bashkë, flenë bashkë. Rémi për Léon është një shok si vëlla të cilin e adhuron. Kur nis shkolla rrethanat shoqërore i bëjnë të kuptojnë intensitetin e marrëdhënies së tyre; shoqet e tyre të klasës i mendojnë (pa të keq) si çift romantik. Kjo do të krisë diçka mes tyre, përgjithmonë.

Çfarë ndodh më pas është një vërshim i pjesës më të keqe të jetës dhe llogarive që çdo pjestar i historisë duhet të bëjë me të. Të rriturit bëhen si fëmijë, fëmijëve i duhet të rriten para kohe. Çiltërsia me të cilën regjisori ka xhiruar secilën skenë është mbreslënëse. Kuadri është herë i mbushur me ngjyrat e ndezura të pasionit dhe herë me sfumatura të bezhës dhe grisë si alegori të depresionit. Dinamikat mes personazheve janë të ndërtuara aq mirë, siç nuk ndodh shpesh. Edhe pse fokusi i filmit është marrëdhënia e dy shokëve, e më pas nënave të tyre mes njëra tjetrës dhe me fëmijët e tyre nuk do ta harroj kurrë babain e Rémit i cili në dy skena gjithsej në të gjithë filmin kthehet në një nga figurat më emblemantike. Emblematike është kjo histori, e cila zhvillohet në vijën e hollë, shpesh të padukshme të atyre viteve që ndajnë fëmijën nga të rriturin. Një histori zemëruese, nerv-ngritëse por e ndershme deri gjer në palcë.

Regjisori 32 vjeçar Lukas Dhont, i cili në vetëm dy filma ka arritur të tërheqë vëmendjen e publikut dhe kritikës do të duhet të mendohet për këndin e kësaj historie e cila përballet me peshën e komunitetit LGBT. Shumë e kanë cilësuar filmin si shumë të ashpër për kohët që po jetojmë; një film i cili mund të kishte kuptim para dhjetë apo pesëmbedhjetë viteve.

Po, filmi është i dhunshëm emocionalisht. Humbja e një miqësie është po aq e rëndë në mos më shumë se ajo romantike, aq më shumë akoma kur faktorizon moshën e protagonistëve. Për një 13 vjeçar humbja e një miqësie është e ngjashme me humbjen e diellit në mëngjes, humbja e prindit, apo diçka e ngjashme.  Sfilitja për të gjetur fjalët për të shpjeguar humbjen është e lexueshme në sytë e Léo-s në çdo skenë.

Sy që me siguri do i ngjajnë të tuve, nëse në përfundim të filmit do gjendeshe përpara një pasqyre.