Rajoni

Çmimet e energjisë në Kosovë, Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme!

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të debatojnë sot në një seancë të jashtëzakonshme mbi paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Debati parlamentar vjen pasi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se do të shqyrtojë tarifat e energjisë. Javën e kaluar, Zyra doli me propozime për çmimet, duke i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E. Rritja prek ata të D-së dhe E-së, që konsumojnë mbi 800 e 1000 kilovatë në muaj.

Propozimi i ZRRE-së aktualisht është në konsultim publik. Në rast se propozimi miratohet ashtu siç është, fatura e muajit shkurt do t’iu shkojë konsumatorëve me rritje.

Partitë opozitare në Kosovë kanë ngritur shqetësim për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Aleanca për Ardhmërinë, AAK e Ramush Haradinajt propozoi një projekt-rezolutë përmes së cilës kërkohej që të mos ketë ngritje të çmimeve, por dokumenti nuk u miratua, pasi nuk gjeti edhe mbështetjen e Vetëvendosjes që ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvend.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka ndarë 75 milion euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset që preken nga rritja.
Në një tjetër zhvillim, blloku B2 i Termocentralit “Kosova B” është rivënë dje në punë. Sipas kryeministrit Albin Kurti, “me rikthimin e këtij blloku që kishte dalë jashtë funksionit dhjetorin e kaluar, për çdo orë, Kosova do të paguajë 50 mijë euro më pak për importin e energjisë elektrike”.

Blloku B2 ka kapacitet që të prodhojë 245 megavatë në orë energji elektrike. Në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të energjisë.