Aktualitet

Çmimet e larta frenojnë konsumin e naftës në vend!

Këtë vit, çmimet e naftës kanë shënuar rekorde të panjohura më parë në tregun vendas. Aktualisht, një litër naftë shitet me 232 lekë ose 28.4% më shumë se shtatorin e vitit të kaluar kur çmimi me pakicë për një litër ishte 186 lekë. Rritja e çmimit ka ndikuar në uljen e konsumit i reflektuar në importe më të ulëta të naftës. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën, janar-shtator 2022, importet arritën në 419 mijë tonë me rënie 9.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në muajin shtator u importuan vetëm 49,780 tonë, sasi kjo 0.7% më e ulët edhe se në shtatorin 2020, kur ekonomia dhe turizmi u hapën pas kufizimeve të pandemisë. Burime nga tregu pohojnë se konsumi ka rënë në rrethet kufitare, të cilat më rritjen e çmimit kanë shtuar furnizimet në vendet fqinje, Greqi, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e Kosovë. Për shkak të taksave më të ulëta, edhe çmimi është më i ulët atje.

Rënia më e madhe ishte në mars (-16% me bazë vjetore), kur çmimet arritën në nivele rekord, duke kaluar 250 lekë për litër. Tkurrja vijoi përgjatë të gjithë muajve në vijim. Në gusht, që është kulmi i sezonit e gjithnjë ka shtim të konsumit për shkak të turistëve, importet ranë me 9%. Sipas operatorëve të tregut kjo lidhet me faktin që turistët furnizoheshin me karburantet në Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoninë e Veriut. Rritja e udhëtimeve të shqiptarëve jashtë vendit për pushime ishte një tjetër faktor që ndikoi negativisht konsumin.

Teksa importet tregojnë për rënie të konsumit, të dhënat e INSTAT-it për tregtinë me pakicë në 6-mujorin e parë të vitit treguan të kundërtën. Shitjet e pakicës së karburanteve shënuan rritje vjetore me 5.2% në 6 mujorin e parë të këtij viti. Kjo ndodhi teksa Ministria e Financave raportoi rënie të importeve që vijoi deri në fund të tremujorit të tretë 2022.

Çmimet e naftës në tregun e brendshëm kanë humbur elasticitetin për shkak se përcaktimi i tyre bëhet nga një bord me pjesëmarrje qeveritare. Bordi i cili duhet të përcaktojë nivelin e çmimit bazuar në një metodologji që merr në konsideratë çmimet në bursën Platts, kursin e këmbimit, etj, nuk ka një grafik të rregullt mbledhjesh. Shpesh, vendimet merren shumë më vonë se ulja e çmimit në bursa, duke i ngarkuar shqiptarët me çmime më të larta përtej asaj që tregu ofron.

Nafta në bursat ndërkombëtare është në tendencë rënëse përgjatë gjithë muajit tetor, teksa bordi nuk u mblodh për të reflektuar ndryshimet përgjatë gjithë periudhës nga 12 tetor deri më 1 nëntor. Në tregjet ndërkombëtare, nafta tregtohet me rreth 94 dollarë për fuçi, në nivelet e shkurtit, përpara se të fillonte shtrenjtimi për shkak të problemeve me furnizim, nga sulmi rus ndaj Ukrainës.

Në Shqipëri, niveli maksimal i naftës arriti në 265 lekë për litër, ndërsa në periudhën mars-nëntor, karburanti u tregtua midis 230-240 lekë për litër, që është 20-30% më shtrenjtë se niveli i shkurtit. Monitor