Bota

Çmimet e larta të energjisë, Joe Biden përgatitet për përdorimin e rezervave emergjente të naftës!

Për të luftuar çmimet e larta të energjisë, presidenti amerikan, Joe Biden do të njoftojë sot përdorimin e rezervave emergjente të naftës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Departamenti i Energjisë do të përdorë 50 milion fuçi nga Rezerva Strategjike e Naftës. Njoftimi do të jetë në koordinim me disa vende të tjera, përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas CNN-it, lëvizja vjen pasi Shtëpia e Bardhë po përballet me presion të shtuar për të ulur çmimet në rritje, të cilat po kontribuojnë në përhapjen më të madhe të inflacionit në dekada, duke shkaktuar zhgënjim dhe zemërim te amerikanët.

Presidenti do të flasë sot për ekonominë dhe uljen e çmimeve për popullin amerikan, vetëm disa orë para se të niset për pushimet e Ditës së Falënderimeve.

Pavarësisht se u tha se ndikimi mund të jetë i papërfillshëm, opsioni për përdorimin e rezervave të naftës është mbi tryezë, duke qenë se Biden kishte pak mundësi të tjera dhe zyrtarët besonin se koordinimi me vendet e tjera duhej të kishte më shumë efekt. Javën e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara kërkoi Komisionit Federal të Tregtisë që të hetonte nëse aktiviteti i paligjshëm nga kompanitë e naftës dhe gazit ishte arsyeja e vërtetë e rritjes së çmimeve të tyre.