Aktualitet

Çmimet e reja, nafta ulet në 211 lekë litri!

Nga ora 18:00 e ditës së sotme, nafta dhe benzina do të shiten më lirë në tregun vendas të karburanteve. Në vendimin e ri të Bordit të Transparencës, nafta do të tregtohet me 211 lekë për litër, nga 214 që u caktua në mbledhjen më të fundit të bordit. Benzina do të kushtojë 194 lekë nga 195 që ishte, pra vetëm një lek më pak. Por, çmimi i gazit nuk ndryshon e do të vijojë të shitet me 71 lekë për litër.

Njoftimi zyrtar i vendimit të Bordit të Transparencës:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 211 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 199 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 194 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 182 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 118 lekë/litër. Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Nisur nga akuzat e shumta, ku kërkohet shkrirja e Bordit të Transparencës me argumentin se po mbron interesat e oligarkëve dhe jo të qytetarëve, sqarohet se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto, reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit e po ashtu të benzinës.

Më tej, në njoftimin zyrtar të ditës së sotme theksohet:

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.