Aktualitet

Çmimet e ushqimeve të shportës, në prill u rritën nga 3.4 deri në 15%!

Edhe pse tregtia botërore ka hyrë në një fazë të re stabiliteti, në vendin tonë çmimet e ushqimeve të shportës për konsumatorët e përditshëm vijojnë të jenë të larta. Vaji i lulediellit dhe mielli ishin dy produktet që pësuan rritjen më të fortë gjatë vitit të kaluar, kur për të gatuar, shqiptarët paguan dyfish më shumë, ndërsa për bukën, shtrenjtimi arriti deri në 40%.

Ndërsa viti 2023 ka reflektuar uljen e produkteve energjetike, produktet e shportës, për të cilat u krijua edhe Bordi i Rregullimit të Çmimeve vijojnë të jenë të kushtueshme.

Sipas pikave të shumicës, mielli vazhdon të jetë 25% më i shtrenjtë se në 2021-in, sheqeri 40% më i shtrenjtë ndërsa për makaronat, shtrenjtimi arrin në 35%. Ekspertët vlerësojnë se për këto produkte kontrolli duhet të jetë i rreptë nga autoritetet. Për Top Channel, ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi shprehet:

Nënçmimi i euros dhe ulja e çmimit të këtyre produkteve, nuk ka reflektuar në uljen e vërtet të çmimeve të tregut për këto produkte, por ka ndikuar në rritjen e marzhit të fitimit të tregtarëve që normalisht është abuzive. Mendoj që do të ishte mirë që Autoriteti i Konkurrencës të hetonte, me qëllim që në raste të tilla të mbrojë konsumatorin shqiptar.

Sipas statistikave zyrtare të INSTAT-it, grupi i ushqimeve u rrit me 3.4% në muajin prill, ndërsa nëngrupi i drithërave pësoi rritje me 5%. Koston më të madhe në tryezën e familjeve shqiptare vijojnë ta kenë veza, qumështi dhe djathi, me rritje 15%, ndërsa në fillimvit rritja për këtë kategori ishte deri në 28%.