Aktualitet

Çmimi i naftës, Doganat sqarojnë metodologjinë e vlerësimit të hidrokarbureve!

Ndërsa pasojat e agresionit rus në Ukrainë nuk kursyen as vendin tonë, duke ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të karburanteve, çka çoi në vendimin e qeverisë për ngritjen e Bordit të Transparencës, për të mos lejuar abuzime në tregun vendas, shumë pikëpyetje e kundërshti ka për rolin e Bordit.

Jo në pak raste kritikohet, duke ngritur dyshime për mosreflektim të ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare, në rastet kur ka rënie të çmimit të naftës bruto në bursë. Përballë akuzave për mungesë transparence e deri te kërkesat për shkrirjen e Bordit, përfaqësues të tij e jo vetëm japin sqarime për metodologjinë e ndjekur në përcaktimin e çmimeve. Ndërkohë, edhe doganat shpjegojnë si bëhet vlerësimi doganor i hidrokarbureve.

Nëpërmjet një njoftimi, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave sqaron mënyrën e Vlerësimit Doganor të Hidrokarbureve.

Legjislacioni Doganor, (Kodi Doganor, Dispozitat Zbatuese te tij) si dhe specifikisht Udhëzimi i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr.3 datë 23.01.2018, përcaktojnë qartë procedurat e metodologjnë e vlerësimit të mallrave për qëllime doganore. Një nga mënyrat e vlerësimit doganor të mallrave është dhe metoda bazuar në

“Dosjen e të Dhënave të Disponueshme” ku përfshihen edhe përditësimet e hidrokarbureve. Si burim për përditësimin e produkteve hidrokarbure, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave përdor të dhënat ditore (ditë pune) përmbyllëse, të publikuara nga një prej agjencive ndërkombëtare më me reputacion “S&P Global Platts”, me qendër në Londër, me të cilën kjo drejtori bashkëpunon prej 15 vitesh.

Për artikujt si benzinë, gazoil, mazut, solar, vajgur, jet, gaz i lëngshëm (butan, propan), biodiesel shfrytëzohen të dhënat përmbyllëse ditore të S&P Global Platts. Me këto të dhëna informohen çdo ditë strukturat doganore. Më herët është sqaruar nga Bordi, si dhe ekspertë të Shoqatës së Hidrokarbureve se Bordi i Transparencës nuk cakton çmimet e naftës bruto, por të gazoilit, benzinës e gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ.

Mbi bazën e tij, ky Bord cakton vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë e pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative. Referuar kësaj, operatorët e shitjes janë të lirë të tregtojnë nën nivelin e çmimit të përcaktuar nga Bordi.

Pra, vendimet që merr Bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet në bursën e Mesdheut për gazoilin e benzinën, jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit. Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto Bordi nuk merr vendim.