Bota

Çmimi tavan i naftës ruse, Ukraina kërkon ulje në 30 dollarë për fuçi!

Ukraina përshëndeti vendosjen e çmimit tavan ndaj naftës ruse prej 60 dollarësh për fuçi, por tha se ky çmim duhet të ulet në 30 dollarë, për të goditur edhe më shumë ekonominë ruse. Në një postim në Telegram, Andriy Yermak, shef i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky shkruan:

Ne e arrijmë gjithmonë qëllimin tonë dhe ekonomia e Rusisë do të shkatërrohet, ajo do të paguajë e do të jetë përgjegjëse për të gjitha krimet e saj. Por do të ishte e nevojshme që tavani të ulet në 30 dollarë, për të shkatërruar më shpejt ekonominë e armikut.

Çmimi tavan prej 60 dollarësh për fuçi, zyrtarisht u miratua më 2 dhjetor nga aleatët perëndimorë. Ky vendim erdhi pas disa muajsh punë. Përmes tij ndalohen shtetet që të paguajnë më shumë se 60 dollarë për fuçi për eksportet e naftës së papërpunuar ruse, që transportohet përmes detit.

Çmimi tavan u prezantua në shtator nga shtetet e G7-ës (SHBA-të, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Japonia e Bashkimi Europian), në përpjekje për të goditur aftësinë e Rusisë që të financojë luftën kundër Ukrainës.

Të premten e kaluar, Bashkimi Europian miratoi çmimin tavan që kërkonte miratimin e të gjitha shteteve anëtare pasi bindi Poloninë të mbështeste këtë hap. Varshava dha “dritën jeshile”, pasi u sigurua se çmimi tavan do të mbetet 5 për qind më i ulët se niveli në tregje.

U raportua se BE-ja dëshironte të vendoste çmim tavan prej 65-70 dollarësh, por ky propozim u refuzua nga Polonia, Lituania dhe Estonia, që argumentuan se ishte një çmim i lartë. Ndërkohë, Rusia ka dënuar këtë vendim, si edhe paralajmëroi se nuk do të furnizojë me naftë ato shtete që do të aplikojnë çmimin tavan.

Para se Moska të niste pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit, mbi gjysma e eksporteve të naftës në Europë vinte nga Moska. Gjermania ishte importuesja kryesore, e ndjekur nga Holanda dhe Polonia. Por, që nga nisja e luftës, shtetet e BE-së kanë tentuar të ulin varësinë e tyre nga energjia ruse. Ndërkaq, SHBA-të kanë ndaluar naftën e papërpunuar ruse.