Aktualitet

Conference League, në portin e Durrësit mbërrin autobusi i Romës!

Në portin e Durrësit sot mbërriti autobusi zyrtar i skuadrës së Romës, në kuadër të ngjarjes më të madhe futbollistike, që do të zhvillohet në Shqipëri, siç është finalja e UEFA Conference League, pas dy ditësh në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.  Autoriteti Portual Durrës, në koordinim me kompanitë e lundrimit dhe agjencitë ligjzbatuese që operojnë në portin më të madh detar të vendit, po menaxhojnë situatën për mbarëvajtjen në përpunim për sportdashësit, që në vendin tonë janë duke hyrë edhe në rrugë detare. Synohet t’iu krijohen sa më shumë lehtësira.

Ky është një event i rëndësishëm sportiv jo vetëm për Italinë dhe Holandën, por edhe një festë e madhe për gjithë Shqipërinë. Në finalen e UEFA-s Conference League, Roma do të përballet me holandezët e Feyenoord-it.

Në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere dello Sport”, kryeministri Rama foli për organizimin e finales së Conference League-s në Tiranë. “Jemi organizuar dhe do të jemi në lartësinë e duhur. Kush nuk do të hyjë në stadium mund të bashkohet me zonat e fansave, të rezervuara për miqtë. Kam kërkuar mbështetje nga policitë e Romës dhe Rotterdamit për të na dhënë një dorë”, – deklaroi Rama.

Për Jose Mourinho-n, “Shqipëria e meriton mundësinë e organizimit të një finaleje si ajo e Conference League” që zhvillohet më 25 maj në stadiumin “Air Albania” në Tiranë mes Romës dhe Feyenoord-it. Në një konferencë për mediat, trajneri i Romës u shpreh se “finalja në Shqipëri është dyfish kënaqësi: sepse luan në finale dhe se shkon në një nga të paktat vende në Europë ku nuk ka luajtur kurrë”. Për tifozët shqiptarë, portugezi tha se “luan apo nuk luan Kumbulla, ata duhet të jenë nga kjo anë”. “Natyrisht do të jetë bukur nëse Kumbulla ngre kupën”, – theksoi Mourinho.

Finalja në Shqipëri është kënaqësi për mua. Një kënaqësi dyfish sepse luaj finale dhe sepse shkoj për herë të parë në një nga të paktat vende në Europë ku nuk kam luajtur kurrë. Kënaqësi sepse kam edhe ndonjë mik në Tiranë, një mik me rëndësi domethënëse në shoqërinë shqiptare dhe për Shqipërinë si vend. Mendoj se vende si Shqipëria e meritojnë këtë mundësi. Luan apo nuk luan Kumbulla, ai është e vetmja pikë lidhëse e Shqipërisë me finalen, nga tifozët shqiptarë pres që të jenë nga kjo anë dhe natyrisht do të jetë bukur nëse Kumbulla ngre kupën.