Aktualitet Sport

Conference League në Tiranë, kryeministri Rama për shtypin italian: “Jemi në lartësinë e duhur!”

Në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere dello Sport”, shefi i qeverisë, Rama foli për organizimin e finales së Conference League-s në Tiranë.

Jemi organizuar dhe do të jemi në lartësinë e duhur. Kush nuk do të hyjë në stadium mund të bashkohet me zonat e fansave, të rezervuara për miqtë. Kam kërkuar mbështetje nga policitë e Romës dhe Rotterdamit për të na dhënë një dorë.  Unë mbështes Juventusin që i vogël, por tani që Romën e drejton Mourinho bëhet pak e komplikuar situata. Kam mbetur i mahnitur nga Interi i tij dhe në atë periudhë e kam tradhtuar Juventusin. Unë nuk jam një ekspert futbolli, por më interesojnë më shumë trajnerët sepse mësoj nga karizma e tyre por edhe nga lidershipi e mënyra si menaxhojnë një grup.

Për Jose Mourinho-n, “Shqipëria e meriton mundësinë e organizimit të një finaleje si ajo e Conference League” që zhvillohet më 25 maj në stadiumin “Air Albania” në Tiranë mes Romës dhe Feyenoord-it. Në një konferencë për mediat, trajneri i Romës u shpreh se “finalja në Shqipëri është dyfish kënaqësi: sepse luan në finale dhe se shkon në një nga të paktat vende në Europë ku nuk ka luajtur kurrë”. Për tifozët shqiptarë, portugezi tha se “luan apo nuk luan Kumbulla, ata duhet të jenë nga kjo anë”. “Natyrisht do të jetë bukur nëse Kumbulla ngre kupën”, – theksoi Mourinho.

Finalja në Shqipëri është kënaqësi për mua. Një kënaqësi dyfish sepse luaj finale dhe sepse shkoj për herë të parë në një nga të paktat vende në Europë ku nuk kam luajtur kurrë. Kënaqësi sepse kam edhe ndonjë mik në Tiranë, një mik me rëndësi domethënëse në shoqërinë shqiptare dhe për Shqipërinë si vend. Mendoj se vende si Shqipëria e meritojnë këtë mundësi. Luan apo nuk luan Kumbulla, ai është e vetmja pikë lidhëse e Shqipërisë me finalen, nga tifozët shqiptarë pres që të jenë nga kjo anë dhe natyrisht do të jetë bukur nëse Kumbulla ngre kupën.