Sport

Conference League, Sivasspor mund Ballkanin!

Duhej të ishte festë në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës ku Ballkani i gëzoi tifozët me golin e Thaqit në pjesën e parë, por e dyta nuk ishte ndër më të mirat për mënyrën e interpretimit nga vendasit që shpërdoruan disa mundësi të mira. Më pas, në harkun e nëntë minutave pësuan dy gola që sollën përmbysjen e miqve për të fiksuar shifrat në rezultatin 1-2. Ballkani mbetet i fundit në Grupin G të Conference League dhe ndërlikon rrugën e kualifikimit.

Sa i takon pjesës së parë, të besuarit e trajnerit të Ballkanit, Ilir Daja e nisën disi të ngurtë sfidën me turqit e Sivassporit, megjithatë me kalimin e minutave vendasit morën frenat e lojës në dorë. Shansi i parë i takoi Rrahmanit që nga fare pranë portës nuk u bashkërendua siç duhej duke e dërguar topin shumë larg kuadratit. Pas tre minutave ishte Dellova i cili provoi nga distanca, por portieri Vural u përgjigj në mënyrën e duhur. Megjithatë, gardiani i turqve u dorëzua në golin e shënuar nga ana e Armend Thaqit.

Nga minuta e 60-të, Sivasspor rriti ndjeshëm ritmin e në të 72-ën gjeti golin e barazimit pas një goditje me kokë të Hakan. Nëntë minuta më pas, turqit goditën sërish, këtë herë me Angielskën, i cili në rrjetën e Frashërit devijoi saktë një top në brendësi të zonës. Ballkani provoi të reagonte, por miqtë rezistuan e në fund dolën me tre pikë nga stadiumi “Fadil Vokrri”.

Pas kësaj disfate, Ballkani renditet në vendin e fundit të Grupit G në Conference League, me katër pikë pas katër ndeshjeve të luajtura, ndërsa Sivasspor merr kreun pasi prek kuotën e shtatë pikëve.

Gjithsesi, në dy ndeshjet e ardhshme, sërish Ballkani do të luajë gjithçka për gjithçka pasi edhe Slavia Pragë është në kuotën e katër pikëve, ndërsa Cluj ka shtatë, aq sa Sivasspori. Ndeshja e radhës për Ballkanin është ajo ndaj Slavia Pragës, përsëri në “Fadil Vokrri”.