Sport

Conference League, sonte në Tiranë akti i fundit i finales së madhe Roma-Feyenoord!

Tashmë është gjithçka gati për aktin e fundit të Conference League në Stadiumin “Air Albania”. Në një Tiranë të blinduar nga masat e sigurisë, sonte në orën 21:00, nis përballja e shumëpritur Roma-Feyenoord, historike për Shqipërinë, që për herë të parë pret një sfidë të rëndësisë e përmasave të tilla.

Gjatë ditës priten më shumë tifozë ndërsa mbrëmë u shënuan incidente për shkak të përplasjes së huliganëve holandezë e italianë me policinë që ndërhyri për të mos lejuar konfrontime mes tyre. 10 persona u lënduan dhe u dëmtua një automjet policie. Po ashtu, u shoqëruan 60 vetë: 48 tifozë të  Romës e 12 të Feyenoord-it.

Në kuadër të masave për ndeshjen, Unaza e Vogël do të shndërrohet në pedonale, ndalohet qarkullimi i mjeteve. Rrugët Tiranë-Durrës, Durrës-Tiranë, Rinas-Tiranë, Fushë-Krujë, krahu i Vorës e pjesa e TEG-ut në drejtim të Tiranës i dedikohen vetëm automjeteve që transportojnë tifozë. Nuk do ketë asnjë lidhje hyrëse nga Unaza e Mesme në të Voglën në kryeqytet.

Për ata që nuk kanë mundur të sigurojnë biletë për në stadium janë tre fan zona kushtuar tifozëve: Amfiteatri Veror i Liqenit, pedonalja “Murat Toptani” dhe sheshi “Skënderbej”, ky i fundit do të presë tifozë neutralë. Një ditë para finales së madhe në “Air Albania”, lojtarët e Romës e Feynoord-it mbërritën në Tiranë nën masa të rrepta sigurie.

Duke folur para finales me Feyenoordin, trajneri Jose Mourinho deklaroi se “duan të shkruajnë historinë e Romës”. “Në një finale duhet bërë gjithçka për të fituar”, – tha tekniku portugez. Referuar shqiptarëve, Mourinho vuri në dukje se kanë një simpati për Romën e nëse fitojnë, Marash Kumbulla do të ngrejë kupën.

Në konferencën për shtyp para finales së Conference League-s, trajneri i Feyenoordit, Arne Slot, tha se e njeh shumë mirë lojën e Romës. “Për mua si trajner do të ishte e mrekullueshme nëse ngre lart kupën. Ne duhet të bëjmë atë që kemi bërë gjatë gjithë vitit. Ndoshta ata do të luajnë me topa të gjatë. Eshtë interesante të shihet si do të reagojnë lojtarët tanë në këtë finale”, – u shpreh Slot.