Sport

Conference League, sonte Teuta-Shamrock Rovers dhe Anderlecht-Laçi!

Teuta është sot përballë misionit për një tjetër përmbysje mrekullish në terrenin europian, këtë herë ndaj Shamrock Rovers.

Në orën 20:00 të mbrëmjes, kampionët e Shqipërisë, zbresin në fushën e Elbasan Arenës, me vendosmërinë për të kaluar në Play Off-in e Conference League-s, mision për të cilin duhet të përmbysin humbjen e parë në shifrat minimale 1-0, të pësuar në minutat e fundit të sfidës së parë të luajtur para një jave në Dublin.

Për Edi Martinin dhe djemtë e tij gjithçka duket e mundur, po të kujtojmë edhe përmbysjen fantastike që realizuan ndaj Inter Escaldes për të arritur në këtë fazë.

Po në Conference League, Laçi luan sonte në 20:00, ndeshjen e kthimit përballë Anderlechtit, në Belgjikë. Sfida e parë evidentoi diferencat e mëdha mes dy skuadrave.

Anderlechti ka një formacion prej thuajse 100 milionë eurosh, diçka e paimagjinueshme për një skuadër shqiptare. Por, Laçi do të bëjë pjesën e tij e ndoshta mund të shprehet më mirë pa presionin e rezultatit.

Trajneri Shpëtim Duro vështirë se do të ketë sërish elementin kryesor të sulmit, Mentor Mazrekaj, edhe pse një ngushëllim vjen nga rikthimi i Julian Shehut.