Bota Sociale

COVID-19, Komiteti i Ekspertëve nuk vendos testin detyrues për pasagjerët nga Kina

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë në vendimin se nuk ka nevojë për paraqitjen e testit negativ, për pasagjerët që vijnë nga Kina, ndonëse një masë e tillë është aplikuar në SHBA apo vende të tjera të Europës. Rritja e numrave në Kinë, aty ku dhe ishte epiqendra e virusit, ka bërë që ky Komitet të mblidhet sërish se deri më tani nuk është e nevojshme për shtimin e masave.

“Prej disa ditësh ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve të reja ditore në Republikën e Kinës, shoqëruar kjo edhe me shtrime në spitale dhe në njësitë e kujdesit intensiv. Nuk kemi akoma të dhëna nga autoritetet shëndetësore kineze për shtamet e virusit përgjegjës. Në këtë kuadër, disa vende, si SHBA, Japonia, Tajvani, India dhe Italia kanë marrë si masë, paraqitjen e testit COVID për infeksionin SARSCov2, për ata udhëtarë që vijnë nga Republika e Kinës. Qendra Europiane e Kontrollit dhe Parandalimit te Sëmundjeve ose ECDC, si edhe Komisioni i Sigurisë i KE, i mbledhur ditën e djeshme (si edhe Mbretëria e Bashkuar), për momentin nuk e shikojnë me risk të lartë shpërthimin e një vale të re epidemie, por për faktin që virusi qarkullon edhe në Europë dhe niveli i imunizimit është i mirë, prandaj rekomandon vazhdimin e ndjekjes së kujdesshme të dinamikës së kësaj situate.

Edhe komiteti ynë i ekspertëve, pasi analizoi situatën epidemiologjike, në vend në Europë edhe më tej, vlerëson se do të vazhdoje të monitorojë me shumë kujdes dinamikën e kësaj situate, dhe do të vlerësojë masat e marra nga vendet e tjera dhe rekomandimet e ECDC dhe të OBSH-së. Do të vlerësojmë hap pas hapi nevojën për masa shtesë në përputhje me dinamikën e zhvillimit të situatës ekonomike”, thuhet në njoftim.

Në analizën e bërë, situata epidemiologjik në Shqipëri paraqitet e mirë.

“Komiteti Teknik i Eksperteve të menaxhimit të pandemisë COVID 19 ka ndjekur me vëmendje dhe në vazhdimësi dinamiken e situatës epidemiologjike të infeksionit Sars Cov 2 dhe sëmundjes Covid 19. Siç jeni në dijeni edhe nga raportimet tona të përditshme situata aktuale në vend paraqitet e kontrolluar. Mesatarja e rasteve te reja ditore javën e fundit e cila është edhe java e 51 e këtij viti, është 18 raste të reja ditore. Incidenca dy javore është 8 për 100000. Ndërsa numri i rasteve aktive sot në Shqipëri është 195. Janë 2 paciente të shtruar në Spitalin Infektiv dhe asnjë në njësitë e kujdesit intensiv. Në lidhje me vaksinimin në Shqipëri deri me sot janë aplikuar rreth 3,282,000 doza dhe popullsia target për vaksinimin sot paraqitet e vaksinuar në masën 60.8%. Një situate e stabilizuar paraqitet edhe ne rajon e në Europë”, vijon njoftimi.

Megjithatë, pavarësisht rasteve të ulëta, thirrja është bërja e vaksinës, edhe për ata që kanë bërë 2 doza që të bëjnë dozën e tretë ose të katërt.