Bota

COVID çoi në ulje të përdorimit të antibiotikëve në Europë!

Përdorimi i antibiotikëve u ul në Europë në vitin 2020, sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Në përgjithësi, konsumi i barnave, të përdorura për trajtimin e infeksioneve bakteriale, ra me më shumë se 15%. Një arsye mund të jetë se më pak njerëz kanë shkuar te mjeku për shkak të pandemisë, ndaj u dhanë më pak antibiotikë. Një tjetër shkak mund të jenë infeksionet e pakta të frymëmarrjes që nuk janë shkaktuar nga koronavirusi, për faktin se njerëzit mbajnë maska për fytyrën, mbajnë duart e tyre të pastra dhe distancën sociale.

Por, autoritetet shëndetësore europiane kanë paralajmëruar se nivelet e rezistencës ndaj antibiotikëve mbeten të larta. ECDC rekomandon reduktimin e mëtejshëm të përdorimit të panevojshëm të këtyre barnave.

Rezistenca antimikrobike është një pandemi e heshtur që po ndodh këtu dhe tani.

Në një tjetër zhvillim, rezulton se Belgjika bëhet vendi më i fundit europian që tërhiqet nga vendimi për të lehtësuar masat e izolimit, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Autoritetet belge vendosën të ndalin aktivitetet me rrezikun më të lartë, duke i udhëzuar punonjësit të punojnë kryesisht nga shtëpia.

Komiteti i Konsultimeve të COVID-19/ës, i cili përcakton masat e shëndetit publik, pritet të miratojë një strategji për të marrë nën kontroll numrat në rritje të rasteve të infektimeve. Propozimet nga një panel zyrtar këshillues, përfshijnë pezullimin për një muaj të aktiviteteve publike në ambiente të mbyllura si jeta e natës, aktivitetet e kërcimit, sportet dhe grumbullimet studentore. Puna nga shtëpia gjithashtu do të bëhet e detyrueshme deri në festat e fundvitit. Megjithatë, mbetet të shihen sa do të zbatohen këto masa.

Pavarësisht shkallës së lartë të vaksinimit prej 75 për qind, numri i rasteve është në rritje dhe ngarkesa në spitale po rritet. Që nga e hëna, 533 persona kanë qenë nën kujdesin intensiv të mjekëve, krahasuar me 418 një javë më parë, referuar shifrave zyrtare.