Aktualitet

COVID-i shkurtoi me 3.6 vjet jetëgjatësinë në Shqipëri, të dytët në Europë pas Bullgarisë!

COVID-i shkurtoi jetëgjatësinë në të gjithë Europën, por sidomos në vendin tonë e në Bullgari, me respektivisht 3.6 e 3.7 vjet.  Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se në vitin 2021, jetëgjatësia në lindje në Shqipëri ishte 75.5 nga 79.1 vjet më 2019-ën apo 3.6 vite më pak. Gjatë pandemisë, patëm normat më të larta të vdekshmërisë shtesë në Europë.

Të dhënat e fundit të Eurostat-it tregojnë se në vitin 2021, jetëgjatësia në lindje në BE ishte 80.1 vjet. Më 2020-ën ra në 80.4 kur në vitin 2019 ishte 81.3. Vdekshmëria u rrit për shkak të COVID-it. Pra, në krahasim me 2019-ën, vitin para pandemisë, më 2021-shin, jetëgjatësia ra me 1.2 vite në Union.

Në vitin 2021, rajonet e BE-së me nivelet më të larta të jetëgjatësisë në lindje ndodheshin në Spanjë, Itali e Francë.

Në anën tjetër, rajonet e BE-së me jetëgjatësinë më të ulët ishin në lindje të Europës. Kryeson Bullgaria me të gjitha rajonet e saj me mesatarisht 71.4 vite jetëgjatësi, nga 75.1 para pandemisë. Rajonet bullgare u pasuan nga Mayotte në Francë (71.5) e Rumania me rajonet e saj, me jetëgjatësi mesatare 72.8 vjet më 2021-shin.

Statistikat e popullsisë e ato mbi jetëgjatësinë konsiderohen shumë të rëndësishme për planifikime të tjera. Eshtë me rëndësi të dihet sa banorë jetojnë aktualisht në vend e sa do të ketë në të ardhmen, që të mund të merren vendime më të mira në lidhje me ndërtimin e shkollave, spitaleve e rrugëve. Po ashtu duhet ditur sa e moshuar është dhe do të jetë popullsia në vitet në vazhdim, në mënyrë që të planifikohen pensionet apo kujdesi shëndetësor.

Shqiptarët e viteve 1950, mesatarisht jetonin vetëm 54.4 vite sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, ndërsa që nga ajo kohë deri në vitin 2020, jetëgjatësia u rrit me 42%.

Të dhënat historike mbi jetëgjatësinë në 70 vitet e fundit tregojnë nëse përmirësimi më i madh ndodhi në dy dekadat e 1950-1970. Ky tregues u rrit me 18 vite ose 33%./Monitor