Bota

COVID prish përsëri festimet e vërteta për natën e ndërrimit të viteve!

Shqiptarët janë mes miliarda njerëzve në botë që presin vitin 2022, i cili fillimisht troket në shtetin ishullor të Samoas, para se të kalojë në Australi, Azi, Europë, Amerikën e Jugut, bregun lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kaliforni, Hauai dhe ishujt e pabanuar të ishullit Baker e atij Houland në Paqësor.

Në vendin tonë, Komiteti Teknik i Ekspertëve dha OK-in për kremtime pa orë policore, por me porosi të qarta për të treguar kujdes e vigjilencë. Ndërkaq në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë vendosi që masat aktuale kufizuese të mbeten në fuqi edhe në natën e ndërrimit të viteve. Lëvizja ndalohet nga mesnata deri në 05:00 të mëngjesit. Restorantet do të punojnë deri në orën 23:00 e nuk lejohet muzika përtej orës 21:30.

Shumë festa të mëdha e spektakle fishekzjarrësh janë anuluar në mbarë botën, si në Londër, Paris e Berlin. Nga frika e përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit, Gjermania riktheu kufizimet e ndaloi shitjen e fishekzjarrëve në ditët e fundit të vitit. Kremtimet nuk janë më masive as në Spanjë apo Brazil. Me pak fjalë, për të dytin vit radhazi kemi një zymtësi të krijuar nga pandemia duke prishur disi festën, në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Ndërkohë, në Australi është lejuar festë e madhe për Vitin e Ri, edhe pse ka rritje të rasteve me koronavirus në botë. Kryeministri australian, Scott Morrison i tha qytetarëve të “shijojnë mbrëmjen”.

Edhe Koreja e Veriut, gjithashtu, po përgatitet të festojë Vitin e Ri me fishekzjarrë në mesnatë në sheshin “Kim II Sung”, në kryeqytetin Phenian. Imazhet satelitore treguan se përgatitjet ishin duke u zhvilluar me një skenë që po instalohej në shesh, sipas NK News, një faqe interneti me bazë në Seul që monitoron vendin komunist.
Zelanda e Re, e famshme për suksesin në luftën me COVID-in, lejon disa festime. Auckland lehtësoi kufizimet këtë javë.

Kina është në gjendje gatishmërie të lartë, me qytetin e Xian nën izolim ndërsa Tajvani vijon festimet.