Sport

Cristiano Ronaldo drejt Barcelonës?! Freixa: Momenti i duhur për një çmenduri të tillë!

Cristiano Ronaldo dhe Barcelona; dy botë të largëta, pothuajse të kundërta. Kampioni portugez ishte për vite me radhë armiku numër një i Blaugrana-ve si dhe rivali i përjetshëm i Mess-it, duoja që prej një dekade e gjysmë ka ndarë tifozët e futbollit dhe ka monopolizuar “Topat e Artë”.

Megjithatë, ka nga ata që do ta donin portugezin në “Camp Nou” me fanellën azulgrana. Ky është ish-kandidati për president i Barcelonës, Toni Freixa, i cili në mikrofonat e “La Porteria” ka bërë një provokim të bujshëm:

“Nëse ka moment për ta bërë një çmenduri të tillë, atëherë ky është i duhuri”. Barcelona duhet të transferojë Ronaldon dhe Ronaldo duhet ta pranojë transferimin. Të dyja palët janë në një moment të vështirë, pse mos të ndihmojnë njëri tjetrin? Ju do thoni se Ronaldo ka luajtur për Real Madrid-in dhe kurrë nuk do të kalonte tek Barcelona. E keni gabim, edhe çfarë pastaj ? Ronaldo fenomeni ka luajtur për Real Madrid dhe Barcelonën, Interin dhe Milanin , është urryer nga tifozeritë e të katërta ekipeve? Asnjëherë !”

Në orët e fundit në Angli po fiton terren hipoteza e një lamtumire të mundshme e CR7 nga Manchester United. Marrëdhënia jo idilike e 36-vjeçarit me trajnerin Solskjaer dhe rezultatet zhgënjyese mund ta shtyjnë atë të ndryshojë sërish skuadër.

Nëse “Djajtë e Kuq” nuk kualifikohen dot në Champions, kjo hipotezë bëhet edhe më e besueshme, sepse portugezi nuk mund të rrijë jashtë kompeticionit madhor, ku ka vendosur rekorde të shumta personale.

Një futbollist i kalibrit të tij mund të rikthejë entuziazmin te tifozët katalanas, “të përvëluar” nga lamtumira e Mess-it dhe fillimi zhgënjyes i sezonit. Ndërkohë, hapi i parë drejt lumturisë është hedhur, me Xavi që ka marrë drejtimin e skuadrës nga Ronald Koeman.

Freixa foli mbi Xavi për Esport3:

“Mendoj se ai dëshiron t’i bindë lojtarët për një ide futbolli, t’i bëjë ata të luajnë në një mënyrë të caktuar, t’i argëtojë. Pra, Xavi synon të luajë futboll të bukur, të krijojë një dinamikë grupi.

Brenda kësaj dinamike, rregullat vijnë vetë. Nuk mendoj se Xavi vjen me idenë për të vendosur gjoba dhe përndjekur lojtarët, por për të vënë në shinat e duhura Barcelonën. Pra, nuk do të ketë luftë mes trajnerit dhe lojtarëve”.