Design Gossip

Cristiano Ronaldo së shpejti me një hotel të ri, kësaj rradhe në…

Cristiano Ronaldo do të jetë futbollisti më i paguar në Angli. 36-vjeçari pranoi të ulë pagën për t’u rikthyer në radhët e Djajve të Kuq, duke i kthyer shpinën kampionëve në fuqi të Manchester City-t. Cristiano ndryshoi destinacion, falë edhe ndërhyrjeve të shumta të ish-futbollistëve të famshëm të Djajve të Kuq si, Gary Neville, Rio Ferdinand, Patrice Evra, por sidomos pas telefonatës që pati me ish-trajnerin e tij te United, Sir Alex Ferguson.

Së fundmi bëhet e ditur se Cristiano Ronaldo do të shndërrohet në lojtarin më të paguar të Anglisë, duke kaluar në këtë mënyrë edhe rrogën e kilianit Alexis Sanchez, që përfitonte plot 560.000 paund në javë, bashkë me bonuset apo dhe të drejtat e imazhit, sidoqoftë shumë larg yllit tjetër argjentinas Lionel Messi, që merr plot 1.000.000 paund në javë te Paris Saint-Germain. Në Mbretërinë e Bashkuar mediat zbuluan detajet e marrëveshjes dhe Cristiano ka firmosur një kontratë dyvjeçare, që përmban gjithashtu edhe opsionin e 12 muajve shtesë.

12 vjet më parë pasi fitoi gjithçka mund të fitohej me Manchester United ylli portugez la klubin për t’u transferuar në La Liga, në radhët e Real Madridit. CR7 është i vetmi lojtar në historinë e këtij sporti që ka fituar gjithçka mund të fitohej në dy kampionate të ndryshme dhe me dy klube si United apo Real Madrid.

Ndërkaq, mediat e huaja kanë zbuluar gjithashtu edhe interesimin e Cristianos për të zgjeruar akoma më shumë rrjetin e tij të hoteleve. Në këtë mënyrë pas hoteleve luksoze në Madeira, Lisbonë, New York, Madrid, Marrakech dhe Paris, Cristiano ka vendosur të ndërtojë një tjetër hotel në Manchester. Duke lënë mënjanë dy hotelet në vendin e tij të lindjes, të gjithë hotelet e tjera pas vitit 2015 Ronaldo i ka ndërtuar në bashkëpunim me Grupin Pestana.

“The Sun” ka zbuluar se hoteli më i fundit që do të ndërtojë Cristiano në Manchester do të ketë inicialet e tij dhe sipas parashikimeve pritet të hapet në vitin 2023. Ky projekt prej 27 milionë dollarësh tashmë ka marrë aprovimin e nevojshëm dhe bëhet fjalë për një hotel 11-katësh tepër luksoz, me 150 dhoma, si dhe me një bar të veçantë në pjesën e tarracës, që do të ndërtohet në Distriktin Piccadilly Gardens.