Politikë Rajoni

Çuçi njofton marrëveshjen: Të dhënat e gjendjes civile Kosovë-Shqipëri do shkëmbehen në kohë reale

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka bërë me dije në mbledhjen e përbashkët të qeverisë kosovare dhe asaj shqiptare, se mes dy vendeve do shkëmbehen në kohë reale të dhënat për ndryshimin e gjendjes civile të qytetarëve.

“Marrëveshja e radhës ka të bëjë me shkëmbimin në kohë reale të ndryshimit të të dhënave të gjendjes civile të shtetasve që janë martuar në shtetet respektive. Pra një shtetas i Kosovës, martohet në Shqipëri, lajmërohet në kohë reale Kosova dhe anasjelltas. Ky vendim për t’i ndërpresë rrugën çdo manipulimi”, tha Çuçi.

Kujtojmë se mbledhja e 8-të e përbashkët qeveritare Shqipëri-Kosovë nisi me ceremoni zyrtare dhe vijoi me prezantimin e firmosjen e 19 marrëveshjeve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti hapi mbledhjen duke thënë po tingëllojnë më efektive se kurrë më parë. Ndër të tjera theksoi se është një oqean i tërë mundësish të pashfrytëzuara që do të marrin zgjidhje falë marrëveshjeve që do firmosen vazhdimisht në mbledhjet ndërqeveritare.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama propozoi që në nëntor të mbahet në Tiranë mbledhja e përbashkët e 2 Kuvendeve. Nuk mbeti pa përmendur marrëdhënien me Kurtin dhe krahasoi kritikët lehjen e qenit para ceremonisë së pritjes në Prishtinë.

“Pas këndimit dhe qeni nuk lehu më, çka jep një mesazh për të ngjashmit e tij në botën e njerëzve që kërkojnë të fusin vazhdimisht xixa mes nesh dhe të shikojnë të shohin çështje të hapura mes meje dhe homologut këtu”, tha Rama.

Ndër të tjera, foli me shifra për punët e përbashkëta ndërmjet dy qeverive duke thënë se volumi i shkëmbimeve tregtare për vitin që lamë pas ishte 433 milionë euro. Edhe shkrimi i “Enciklopedisë shqiptare” mbetet një prioritet, për të cilin Rama tha se do të nisë puna shumë shpejt.

Mbledhja e fundit ka qenë në muajin nëntor të vitit të kaluar, ku Shqipëria dhe Kosova nënshkruan 13 marrëveshje të reja në mbledhjen e përbashkët e dy qeverive në qytetin e Elbasanit.