Ilir Daja drejt largimit nga skuadra e Ballkanit me të cilën shkroi historinë duke u shpallur për herë të parë kampion me të, një rezultat të cilin e përsëriti por më shumë se kaq, Ballkani u shndërruar në skuadrën e krenarisë së Shqiptarëve në vitet e fundit ku arriti për dy vite radhazi të kualifikohet në fazën e grupeve të UEFA Conference League.
Aty ku dukej se do të ishte një vend ideal dhe se gjërat po shkonin ndryshe, për mirë krahasuar me skuadrat e futbollit në Shqipëri, me sa duket gjërat kanë ndryshuar.
Financiarisht klubet e Kosovës funksionojnë të paktën në anën teorike më mirë, kjo edhe për shkak të ligjit të sponsorizimit që ata kanë, gjë që i jep lehtësira bizneseve të mëdha të investojnë në futboll, por në rastin e skuadrës nga Suhareka lehtësirat erdhën edhe falë arritjeve në këto nivele të larta të Kupave të Europës, ku brenda dy viteve ata arritën të arkëtojnë rreth 10 milion euro.
Gjithashtu Ballkani është ende në fazën e tretë eliminatore të Conference League ku ndeshjen e shkuar u mundën 0-1 në Prishtinë, por që gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit dhe një kualifikim të mundshëm, por kjo pak lidhet me sa duket me situatën e trajnerit tiranas.
Mungesat e disa pagave dhe premiove të titullit kampion apo të kualifikimit në Europë, kanë bërë trajnerin Daja të mendojë për rikthimin në Shqipëri ku e pret mes a duket skuadra e tij identifikuese e kryeqytetit Dinamo.
Prej ditësh flitet për një rikthim të bujshëm të tij edhe pse në krye të Dinamos e cila rikthehet sot në Tiranë nga faza përgatitore në Itali, nën drejtimin e trajnerit Dritan Mehmeti.
Nga ana tjetër edhe Partizani mbetet në kërkim të një trajneri dhe shpesh drejtuesit e klubit të kuq kanë bërë një lloj “Mea Culpa” për largimin e Dajës rreth 2 vite e gjysmë më parë, por gjithsesi, skuadra e Dinamos mbetet zgjedhja e parë e Dajës.