Aktualitet Politikë

Dakordësi maxhorancë-opozitë për zgjedhjen e presidentit!

Negociatat për kreun e shtetit, palët politikë arrijnë dakordësi. U arrit pajtim që opozita të propozojë emër për dy raundet e ardhshme e më pas do të jetë radha e Partisë Socialiste.

Takimi i përfaqësuesve të grupeve parlamentare për procesin e zgjedhjes së Presidentit te Republikës, i thirrur sot nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla përfundoi me dakordësimin e palëve që opozita të propozojë kandidatin për President deri në raundin e tretë.

Pas diskutimeve nga drejtuesit e grupeve, në fund u pranua propozimi i opozitës. Duke iu drejtuar përfaqësuesve të maxhorancës, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj kërkoi të dijë qëndrimin nëse janë dakord me dokumentin e dorëzuar nga opozita, që kjo e fundit të bëjë propozimet konkrete.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shprehu dakordësinë që deri në raundin e tretë propozimet janë të opozitës.

Sillni propozime! Deri në raundin e tretë keni të drejtën e propozimeve. Ne nuk po propozojmë deri në raundin e tretë. Sillni propozimet, bëjeni si ta doni. Nëse doni të konsultoheni për emrin me ne, na thoni.! Ramë dakord, pranohet dokumenti juaj deri në raundin e tretë.

Procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri tashmë ka hyrë në fazën e votimit në Kuvend, ku raundi i parë u ezaurua këtë të hënë pa asnjë kandidat.  Konferenca e Kryetarëve vendosi dje që raundi i dytë i votimit në Kuvend për zgjedhjen e presidentit, të zhvillohet të hënën e ardhshme, në datë 23 maj, ora 18:00.

Por kujtojmë se fillimjavën e ardhshme në orën 10:00, fillimisht kandidaturat për postin e kreut të shtetit do të shqyrtohen nga Komisioni parlamentar i Ligjeve. Mbledhja e komisionit i paraprin seancës së votimit. Kreu i grupit socialist, Taulant Balla i kishte bëri ftesë zyrtare opozitës që të negocionin dhe që palët të dalin me një emër për ditën e hënë 23 maj, me synimin që të mos digjej edhe raundi i dytë si i pari, ku nuk pati emra.