Aktualitet Politikë

Dakordësia për presidentin, “Rithemelimi” kundërshton!

Luçiano Boçi, i mandatuari i Rithemelimit në negociatat për presidentin, i konsideron “false” bisedimet mes Partisë Socialiste dhe Enkelejd Alibeajt.

Zgjidhja është ‘sui generis’. Dikush nga maxhoranca ka propozuar se opozita mund të ketë kandidat në tre raundet e para, ndërsa në raundet e tjera nuk mund të ketë. Maxhoranca që i ka votat, ruan propozimin e saj për raundin e katërt dhe atë të pestë. Pse duhet të ndërtojmë një proces të tillë tallës? Alibeaj nuk është mandatuar nga asnjë institucion i Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, Kushtetuta e thotë qartë se negociatat janë tërësisht politike, jo të grupeve parlamentare. Balla, Gjiknuri dhe Spiropali janë të mandatuar nga partia ndërsa Alibeaj nuk ka asnjë mandat të dhënë nga partia apo grupi parlamentar.

Rama e zgjedh vetë kundërshtarin. Zgjedh disa kokrra, propozoni por unë kam të drejtë t’ju rrëzoj. Jam unë ai që vendos se kush do të ngrejë kupën e presidentit. Tryeza nuk ka vlerë në nivelin parlamentar, por politik. Në vazhdimësi, në rastin kur i jepet opozitës e drejta propozuese, mund të konvergojmë ndonjë emër. Ne do të vazhdojmë në drejtimin për të bashkuar PD-në. Po keqpërdoret grupi parlamentar i PD-së! Me anëtarët e grupit parlamentar komunikon me email, me Ballën preferon të përqafohet. Kandidatët e opozitës do të rrëzohen. Topin do ta mbajë një aktor siç është Alibeaj e në momentin që afrohet për të gjuajtur topin, e merr vetë Rama dhe e gjuan vetë.

Më herët gjatë ditës u arrit pajtim që opozita të propozojë emër për dy raundet e ardhshme e më pas do të jetë radha e Partisë Socialiste. Takimi i përfaqësuesve të grupeve parlamentare për procesin e zgjedhjes së Presidentit te Republikës, i thirrur sot nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla përfundoi me dakordësimin e palëve që opozita të propozojë kandidatin për President deri në raundin e tretë.

Pas diskutimeve nga drejtuesit e grupeve, në fund u pranua propozimi i opozitës. Duke iu drejtuar përfaqësuesve të maxhorancës, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj kërkoi të dijë qëndrimin nëse janë dakord me dokumentin e dorëzuar nga opozita, që kjo e fundit të bëjë propozimet konkrete. Taulant Balla shprehu dakordësinë që deri në raundin e tretë propozimet janë të opozitës.