Bota

Darkweb shet vaksina anti-COVID për 1200 dollarë

Në atë që njihet si “darknet”, shiten edhe vaksina antiCOVID me çmim të ekzagjeruar. Një dozë, mund të shkojë nga 200 deri në 1200 dollarë. Kjo është zbuluar nga Kaspersky, kompania që merret me sigurinë informatike. Analistët kanë ekzaminuar 15 tregje shitjesh në ‘darknet’, tregun e zi të web-it, të dozave të Pfizer dhe Biontech, AstraZeneca-s, Modernas apo vaksinave të tjera antiCOVID të pacertifikuara.

Pjesa më e madhe e shitësve janë në Francë, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Marrëveshjet për blerjen kryhen mes një aplikacioni mesazhesh të kriptuar si p.sh. Wickr apo Telegram ndërsa pagesat kërkohen në formë kriptovalute, kryesisht “bitcoin”, që për shkak të natyrës janë më të vështira që të gjurmohen.

Sipas analizave, nuk shiten vetëm dozat e vaksinës por edhe regjistra vaksinimi që mundësojnë spostimin nga një vend në tjetrin lirshëm. Sipas përllogaritjeve të Kaspersky, pjesa më e madhe e shitësve të paligjshëm, kanë kryer rreth 100-500 transaksione shitjeje, por nuk është e qartë se çfarë po blejnë me të vërtetë përdoruesit e “darknet”.