Rajoni

DASH: “Kosova dhe Serbia i zgjedhin vetë prioritetet e politikës së jashtme!”

“Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane, të cilat kanë të drejtë të zgjedhin vetë prioritetet e tyre për politikën e jashtme”. Kështu u shpreh një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe. Departamenti amerikan i Shtetit e bëri këtë deklaratë, pasi presidenti serb, Aleksander Vuçiç deklaroi se “duke bërë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Europës, Kosova shkeli Marrëveshjen e Uashingtonit”.

Në shtator 2020, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, që u njoh si Marrëveshja e Uashingtonit, e firmosur në prani të presidentit amerikan të kohës, Donald Trump. Prishtina ra dakord për moratorium 1-vjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia zotohej të ndalte fushatën kundër njohjeve të Kosovës shtet. Moratoriumet nuk janë më të vlefshme, por Departamenti Amerikan i Shtetit i nxiti palët t’i vazhdojnë, për të mundësuar përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Më tej, në përgjigjen e DASH-it, nënvizohet:

Moratoriumi ka pasur synim të rrisë hapësirën për bisedime dhe kompromis mes Kosovës e Serbisë, çka ne besojmë se përbën interes strategjik për të dyja shtetet.

Ne vazhdojmë të besojmë se dialogu për normalizim të marrëdhënieve, me ndërmjetësim të Bashkimit Europian është kyç për të dyja shtetet, në mënyrë që t’i hapin rrugë të ardhmes europiane. Ne bëjmë thirrje për pjesëmarrje urgjente, fleksibile e serioze në këtë proces.

Presidenti Vuçiç mbledh sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas vendimit të Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës. Zv.kryeministrja Donika Gërvalla e dorëzoi dje aplikimin dhe Vuçiç nxitoi të akuzonte Prishtinën se sipas tij, “shkeli brutalisht Marrëveshjen e Uashingtonit”. Ai u zotua që Beogradi të bëjë më të mirën për të mbrojtur shtetin serb.

Nuk duhet të përfshihemi në urrejtje e të hyjmë në psikozë konflikti, por të ofrojmë përgjigje të fuqishme në mënyrë të përgjegjshme e serioze.