Rajoni

DASH kundër takimit Dodik-Putin: Veprim jo largpamës!

“Asnjë qeveri, në asnjë nivel, në këtë moment nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, ndërkohë që ai vend po kryen agresion kundër Ukrainës”. Kështu vlerësoi Departamenti amerikan i Shtetit duke komentuar takimin e presidentit të Republikës Sërpska të Bosnjës, Milorad Dodik dhe presidentit rus Vladimir Putin. Këtë takim e konsideron kundër interesave të qytetarëve të Republikës Sërpska.

Asnjë qeveri, në asnjë nivel, në këtë moment nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, ndërkohë që ai vend po kryen agresion kundër Ukrainës.

Vendimi i Dodikut për t’u takuar me Putinin në kohën kur Rusia shkel haptazi themelet dhe ligjet e rendit ndërkombëtar, si dhe vendimi i mëparshëm i Dodikut për të dekoruar Putinin, nuk janë lëvizje largpamëse. Nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Republikës Sërpska.

Rruga që të çon drejt një të ardhmeje demokratike, të begatë e të sigurt, të cilën e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës kalon përmes Brukselit, jo përmes Moskës. Prandaj, ne e konsiderojmë rrugën e Dodikut joproduktive dhe mbi të gjitha të dëmshme.

Dodik tha në Moskë se Republika Sërpska vazhdon të mbetet pro-ruse, antiperëndimore e antiamerikane.

Nuk kemi lejuar të merret vendim zyrtar sa i përket sanksioneve kundër Federatës Ruse e për shkak të kësaj jemi ekspozuar ndaj formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë, me sanksione e pezullime nga projekte dhe programe të caktuara. Por, ne kemi zgjedhur që të mos jemi pjesë e histerisë që po krijohet.

Pas takimit me Putinin, Dodik i quajti “armiqësore” vendet që vendosin sanksione ndaj Rusisë. Me akuzat dhe retorikën e ashpër ndaj ambasadës amerikane në Bosnje, ambasadorin Michael Murphy e quajti “antiserb”.

Qëllimi i ambasadorit amerikan është të shkatërrojë Republikën Sërpska deri në fund të mandatit të tij.

Më parë, Murphy paralajmëroi se me paturpësi, Dodik po sulmon gjithnjë e më shumë stabilitetin e Bosnjës me retorikë nacionaliste.