“Sot Nuk Është e Hënë” erdhi edhe këtë fillim jave me rubrikën e librit, ku këtë herë ngrihet pyetja: “Çfarë është dashuria?” Dhe thënë kjo, duket se vepra e re e Shpëtim Kelmendit, i jep përgjigje fjalë për fjalë kësaj pyetje… Një arsye më shumë për të lexuar “Dashnia asht”!
“Dashnia asht” është një libër hera-herës zbavitës, por që të prek plagë dhe të çon përsëri në disa gropa që mendoje se i kishe kaluar. Për nga shkrimi i kësaj vepre në gegnisht, “Dashnia asht”, është botim që së paku duhet lexuar për t’u bindur se shqipja është e begatë në fjalë dhe kombinime, që do t’ju bëjë të pasuroni fjalorin tuaj. “Dashnia asht”, është tjerrur me atë fije çmendurie e cila flet “urtësi”, atë lloj që njeriu ka nevojë por nuk e di. Për t’u bindur se ‘çfarë është dashnia’, ju ftojmë të lexoni këtë pjesë të shkëputur nga vepra:
Je përballë meje, por s‘di pse herë mbas here më duhet të vjedh diçka nga profili yt në pasqyrën përskaj për me gatue pak guxim që mandej me të pa në ata sytë e ty të mëdhenj, në të cilët prania ime asht varkëz prej letre mbi nji liqen të vetmuem. Mes heshtjes ti thua papritun nji fjalë që nis e bleron mbi tryezë e unë nuk di nëse duhet të kundroj harlisjen e saj apo të përgjoj gulçet e zemrës sime që ka fillue me m‘u endë pak si tepër nëpër gjoks, sa asnjiherë nuk e di me saktësi se ku ndodhet. Mendoja se kisha jetue, por mandej erdhe ti e mbas shpinës sime pashë të më buzëqeshte frikshëm nji shkretëtinë e verdhë me dunat e ranës që përhidheshin si buaj të hasdisun. Në fillim nuk ishe, por unë nisa me të krijue dalëngadalë dhe, kur portreti yt mbaroi, vuna re se kisha përdorë ngjyrat e fundme të rinisë sime. Tashma gjithçka rrotull meje ishte gri e sa për ndonji ngjyrë që kalonte me shpejtësi, ajo ishte diçka iluzive që prodhohej veç kur ankthi im përplasej me ditën e re.
Fillova me të kërkue gjithandej mbi këtë botë që ngrysej përherë e ma shumë në gjoksin tim. E dija që je, sepse të kisha krijue vetë dhe thjesht kisha humbë kujtesën e vendndodhjes sate. Po vija re se koha s‘përbahej prej vitesh, muajsh, javësh, ditësh, orësh, minutash e as sekondash, por prej do dromcash edhe ma të vogla, sepse nëpër to unë të kërkoja ty. Koha ishte aty, por veç më duhej të rrija jashtë saj që të mund ta kontrolloja sa ma mirë. Ngaqë dëshiroja të mos më shpëtonte asgja, kam kalue nëpër duar, kam përjetue, kam ngjërue, kam ndigjue e kam pa gjithfarë mbeturinash të mendjes e ndjesive njerëzore që përfitonin nga mungesa jote.
Ndonjiherë më bahej se shihja gjurmë të kalimit tand mbi ndonji tingull që mund të ishte hare a pikëllim, mbi ndonji aromë të dikurshme parfumi ose mbi ndonji rreze të vështrimit tand, që thjesht mund të kishte humbë rrugën. Erdhe, por nuk erdhe vetë.Harabelët e trishtimeve të përditshme, që çukisnin thërrime sekondash e minutash të hapërdame nga jeta jote, klithmat e heshtuna të vjeshtës sate që ta mbështillnin kurmin e ambël, aureola e heshtjes përreth teje, që ende tallazitej nga flatrimi i nji stinëvere të dikurshme, të gjitha këto ishin thirrjet e mia që të drejtoheshin ty. E tash që të kam afër dhe sodis duart tua që prehen në të miat si dy pëllumbesha të lodhuna fluturimesh, e di mirë që e kam fitue luftën me të pamundshmen.
Je përballë meje dhe tue të pa çuditem se si ka mundësi të vazhdosh me qenë e dukshme e sidomos aq jashtë kur e ke vendin mbrenda meje. Të shoh si pjesë të shkëputun prej gjoksit tim; mund të jesh zemër, mushkëri, mëlçi apo ndonji tjetër organ vital, të cilit nuk ia kam mësue emnin prejse nuk kam besue se nji dorë e padukshme, që quhet dashni, do mund të ma zhvaste prej gjoksit për ta vendosë përballë meje. Në ty adhuroj gjanë time dhe asht e drejtë nëse ndonjiherë më rrok dëshira me të pushtue, me të kafshue në pjesët e zbulueme apo me të gllabërue krejtësisht si nji krokodil; kjo jo për me të ba dam, por vetëm që mbas kësaj të mos e mbaj ma mendjen tek ti e thjesht të ndjej se si rifunksionon në mua organi i humbun vital, të cilit, meqë ra fjala, duhet t‘ia mësoj medoemos emrin. Kjo prirja ime kanibaleske ka edhe plot kuptime të tjera, të cilat nuk jam në gjendje me i shpjegue, por thjesht me i ndi, dhe asht pak a shumë e njëjta gja që na ndodh kur duam të shqyrtojmë Zotin, hapsinën, lirinë, vetminë, bukurinë, neverinë, lumturinë e sa e sa gjana që lidhen me përvojat e jetëve të shkueme. S‘di pse mendoj se njerëzit e shohin përjetimin e fortë të ndjenjave si nji zonë të rrezikshme që duhet shmangë, por me kujdes ama, tue u mundue me ofrue pamjen dhe iluzionin e atij që po e kërkon. Jo, njerëzit nuk kërkojnë dashninë, sepse ajo zgjon panik; na detyron me nxjerrë në sipërfaqe dobësitë, pasiguritë, ankthet, pikëllimet, arrogancën, vetminë, mungesën e lirisë e sa e sa gjana të tjera, që kutërbojnë në gjirizin e pavetëdijes sonë e që do na padisnin keqas para vetes. Po, sigurisht që do ndjeheshim keq, por do të ndjeheshim të vërtetë. Dhe e vërteta fanitet si nji tjetër argument i padobishëm për njeriun, sepse shpërfaq atë që ai asht, atë që nuk do të donte të ishte. Jo, njerëzit nuk kërkojnë dashninë, por prapëseprapë e dëshirojnë kundërmimin e trandafilit të saj, të cilin mundohen ta ndjejnë që nga periferia e kësaj gjendjeje të madhërishme, në krahinën shterpe të mediokritetit. Kjo gjendje e ndërmjetme asht e rehatshme, sepse rreziqet janë të kontrollueshme e mund t‘u shmangesh lehtë orteqeve të zemrës. Njerëzve u pëlqen të flasin për dashninë si për diçka që pothuajse nuk asht kurrë e pranishme, si për diçka që s‘ekziston, si për diçka që të hap telashe apo që të shmang nga qëllimi i jetës. Por Zoti krijoi universin, tokën, jetën, gjallesat, njeriun e gjithë ç‘na sheh syri e mëndja vetëm për shkak të dashnisë e kjo duhet të na bajë me besue se dashnia, edhe kjo e jona, tokësore, asht vetë qëllimi i jetës.
Je përballë meje e më vështron me ata sy të lëmekun, në të cilët lexoj kuptimin e qenies. Nuk më thua se më do, nuk më thua se je këtu për mua, nuk më thua se jam i pranishëm edhe me mungesën time. Nuk më thua asgja. Je përtej fjalës. Ndoshta fjala ishte litari që të hodhi në këtë anë të humnerës ku jam unë, por tashmë ai litar luhatet i padobishëm prejse vështrimi yt më thotë se nuk ke për ta përdorë kurrë ma. Dhe unë të besoj. Sepse dashnia asht besim. Sepse aty ku besimi nuk asht, dashnia mungon. Nuk ka dyshime, nuk ka egoizëm, nuk ka gënjeshtra, nuk ka urrejtje, nuk ka asgja për të cilën duhet të na vijë turp. Them se dashnia asht unike, nji bashkësi e gjanë ndjesish të shkrime në nji unitet që zotnon kohën e hapsinën e që prapëseprapë ia del të mbyllet në caqet e zemrës sonë njerëzore. Unë them…Por ti je përballë meje e më vështron. Nuk thua asgja. Nuk ke nevojë të thuash asgja. Nuk të pyes se ç‘asht dashnia, sepse e ndjej se përgjigja jote derdhet prore në mua nëpërmjet vështrimeve të tua, që më më zgjojnë ritmet e reja të gjakut: Dashnia asht.