Aktualitet

Debate në komisionet e Medias e të Sigurisë për denigrim të Qazim Mulletit e foton Enver Hoxhës!

Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare është thirrur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili foli për vrasjen tronditëse në Fier të 8-vjeçarit Mateo Vasiu. Lidhur me të ndaluarin si autor, Klodian Çalamani, Nano iu tha deputetëve, se për të nuk ka patur kallëzime për abuzime seksuale, por dispononin të dhëna se ka qenë grabitës banesash.

Ndërkaq, në Komisionin e Sigurisë, pjesë e të cilit është deputeti socialist, Bujar Çela u rikthyen debatet për foton e Enver Hoxhës të postuar prej tij, për të uruar Ditën e Pavarësisë. Kolegu demokrat, Ervin Salianji kërkoi nga kryetari i Komisionit, Nasip Naço, të kërkohet ndjesë për fyerje ndaj viktimave të komunizmit e më tej të vijohet me rendin e ditës. Naço bëri të ditur se do të thërritet Këshilli i Etikës, për të diskutuar rastin.

Debate pati edhe në Komisionin e Medias, pasi Teatri Kombëtar vendosi që me rastin e festave të 28 dhe 29 nëntorit të lexojë online në Facebook pjesë nga vepra “Prefekti”, që ka në qendër Qazim Mulletin, kryebashkiak e prefekt i Tiranës në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Deputetët e opozitës kërkuan të ketë një deklaratë të përbashkët ku të dënohet rikthimi i “Prefektit”, me argumentin se “denigron figurën e Qazim Mulletit”. Maxhoranca u shpreh se “këto vepra nuk duhen rikthyer, por se nuk mund të ketë deklaratë”, se sipas saj, “do të dukej si censurë dhe gjyq”.

Ina Zhupa: Jemi këtu për të punuar për një paketë të plotë ligjore për të punuar për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. Tekstet shkollore si dhe filmat apo shfaqjet e teatrit janë pjesë e punës sonë.

Besjon Ajazi: Gjyq do t’i bëjmë ne?

Luçiano Boçi: Të therrasim drejtorin e Teatrit Kombëtar dhe të flasim edhe për këtë çështje.  Të mos ia sjellim publikut si vlerë. Këtë duhet ta bëjmë ne, pa u kthyer në komision censure. Do të ikja me vrap nga ky komision nëse do të shndërrohej në një tillë. Pse të mos dalim ne me një qëndrim publik si komision. Të rrimë ne të fshehur? Ne nuk po kërkojmë të bëhemi censor por të rivendosim vlera.

Flutura Açka: Edhe ne, Partia Demokratike ka faj në këtë gjë. Ne e shpikëm shprehjen bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës, që është kriminale. Nuk ishim të tillë. Çështja e keqpërdorimit të artit në këtë sens është bërë rutinë. Për ‘Prefektin’ ne mund të dalim me një deklaratë ku të tërheqim vëmendjen. Një televizion nxjerr kopertinën e një libri, shtrembërohet kopertina, e nxjerr monstër. Shpërdoron disa të drejta, si ajo e portretit, e mallit, dhe e veprës artistike. Kjo çështja e distancimit duhet të jetë e sinqertë. Ne na duhet një deklaratë se nuk mund të shtyhet më kështu.

Petro Koçi: I bashkohem diskutimit se rivënia në skenë e veprave të tilla që kanë përmbajtje ideologjike është mirë që të mos vihen. Po të shikosh spektaklet e humorit tani dikush prej nesh mendojnë se ironizimi i figurave politike ndonjëherë është edhe e tepruar. Por kjo nuk do të thotë se ne mund t’i censurojmë. Unë për vetë nuk marr përsipër të bëj ndonjë gjyq këtu.

Më 29 nëntor, Partia Demokratike njoftoi se do të propozojë në Kuvend një paketë të plotë ligjore lidhur me mospërdorimin e simboleve komuniste. Sipas Enkelejd Alibeajt, “kjo paketë do të sjellë me ligj dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare dhe ndarjen e saj përgjithmonë nga diktatura”. Nisma pasoi replikat e forta me deputetin socialist Bujar Çela.