Rajoni

Debatet për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë, organizata FES prezanton draftin!

Në një draft-statut të publikuar sot nga organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), parashikohet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës.

I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.

Për krijimin e tij, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që zhvillohet në Bruksel. Me gjithë trysninë e faktorit ndërkombëtar, Kosova, deri më tani nuk e ka zbatuar këtë marrëveshje. Kryeministri Albin Kurti shprehet se nuk mund të formohen asociacione njëetnike.

Duke prezantuar draft-statutin, përfaqësuesi i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee, tha se gjatë hartimit, janë kujdesur që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit.

Ky është një projekt i pragmatizmit politik, sepse ne kemi menduar se do të vijë koha kur do të ishte i nevojshëm statuti i Asociacionit.

Asociacioni të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin të cilat do të vendosen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës e Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Statuti do të miratohet nga një kuvend themelues i Asociacionit, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse.

Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të hyjë në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese po e Kosovës.

Anëtare të këtij asociacioni mund të jenë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviçi e Shtërpca. Anëtarësimi është vullnetar dhe çdo anëtar duhet t’i përmbahet statutit.

Asociacioni do të ketë të drejta të plota në fushat e zhvillimit ekonomik lokal, edukimit, planifikimit urban, si dhe rural.

Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të vetin, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare.

Një ndër nenet flet edhe për objektivat e Asociacionit, të cilat janë: forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimi i interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.