Aktualitet

Debati për ndryshimet në qeveri, përplasje Balla-Berisha!

Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla ka folur në Kuvend për kërkesën e deputetëve të opozitës që të hapet debati ndërsa pritet votimi i ndryshimeve në qeveri. Balla sqaroi se nuk ka pasur asnjë debat për këtë pikë. Sa i përket dosjes së Autoritetit të Dosjeve ku rezulton se Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, Balla thotë se çështja është alarmante dhe kërkohet reflektim serioz e urgjent. Kështu i është përgjigjur edhe akuzave të Metës se kryetarja e Autoritetit të Dosjes, Genta Sula është patronazhiste. Balla tha se e kanë zgjedhur me konsensus së bashku me Metën dhe tani që po bën detyrën e saj, e akuzojnë për patronazhiste.

“Nuk ka pasur asnjëherë debat dhe nuk ka pasur debat për këtë pikë. Përsa i përket çështjes së dytë që përmendi Alibeaj, çështja e një shkrese të ardhur nga AIDSKSH, është çështja që meriton që sa më shpejt të mundemi të kemi një debat dhe reflektim serioz. Ngritja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, një shërbim terrori, kërkon reflektim serioz dhe urgjent. Menjëherë.

Ashtu sikurse kërkon një reflektim serioz, që një sekretar partie i shpallur non-grata e përdhos këtë Kuvend me gjuhën e tij. Këto ndryshime miratohen pa debat. Shikoni sa e tmerrshme. Dhe ju keni votuar anëtarët e AIDSKSH. Një bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, hedhin baltë mbi anëtarët e dosjeve. Kanë sjellë thjesht alarmin në Kuvendin e Shqipërisë. Kanë hedhur alarmin. Unë dhe zoti Meta e kemi propozuar dhe votuar së bashku Genta Sulën si kryetare autoriteti. Pak javë më parë e kemi zgjedhur me konsensus në krye të AIDSKSH.

Tani na doli që zonja Sula patronazhiste, sepse bën detyrën e saj shtetërore me integritet dhe kurajo. Na dolën patronazhist dhe dy zotërinj të nderuar. Zoti Marku dhe zoti Vrijoni. Bashkëpunëtorët sulmojnë dy të përndjekur politik si patronazhist. PD, ajo që ka ngelur duhet të çohet dhe të flasë. E njëjta linjë sikurse u sulmua DASH, që doli vegël e Edi Ramës. Duhet t’i japim drejtim atyre që zoti Alibeaj tha. Kërkon që autoriteti i Dosjeve të rishikojë certifikatën e pastërtisë që ka hyrë në parti me përgjues në trup” – tha Balla.

Sali Berisha ka folur jashtë Kuvendit pasi nuk u pranua kërkesa për debat në seancën parlamentare ku do të votohen ndryshimet në qeveri.

“Në Parlamentin e monizmit të plotë, Edi Rama shkelmon rregulloren e cila në nenin 110 të saj sanksionon debatin Parlamentar për programin, por edhe për përbërjen e Këshillit të Ministrave. Sot ndryshon përbërja e Këshillit të Ministrave dhe në çdo Parlament në botë, përveç Parlamentit të monizmit të plotë do të bëhej debat. Këtë e ka të qartë Edi Rama, por ai bën çdo lloj manovre dhe çdo lloj përpjekje për të mbuluar faktin se ai, Rama, është padrino i Arben Ahmetajt. Ia thash edhe në Parlament, vish çdo lloj xhakete, por qyrkun e hajdutit nuk e heq dot kurrë nga shpina. Kjo është e vërteta. E vërteta është se ai ka firmosur në shkelmim të ligjeve të vendit dhe vetëm e vetëm për të vjedhur. Kontratë me negociata të mbyllura që s’mund të firmosej kurrë nga një kryeministër që do të zbatojë ligjin.

Edi Rama është firmëtari i famshëm që i ka dhënë për tenderin Sharrës 8 pikë kompanisë së vet. Ja pra pse nuk lejojnë diskutimin se këto do jua thonim me dokumenta shqiptarëve. Sic keni marrë vesh ka firmosur për 91 milionë euro duke falsifikuar dokuemntein e firmosur prej tij dhe duke e paraqitur sit ë të gjitha bashkive të qarkut. Po nisem për Mirditë, do fitoj 100-vjetorin e marrëdhënies diplomatike me SHBA. Unë do ta festoj me shqiptarë të vërtetë jo me nëpunës të paguar”, tha Berisha.