Celebrities Gossip Live From Tirana Showbiz

Debati virtual Balina-Beatrix, Neda Balluku: “Institucionit të thashethemit nuk i shpëtojnë as këta persona…”

Sot të ftuar në emisionin “Live from Tirana” ishin ish-konkurrentja e “Big Brother”, Neda Balluku dhe moderatori Alban Musa për të na folur rreth finales së madhe së “Big Brother Vip”, për lojën e secilit prej finalistëve, u shprehën në lidhje me banorët e dobët të këtij edicioni, komentuan ftohjet e Arjolës me Monikën, e shumë diskutime të tjera në pjesën e parë dhe të dytë të emisionit.

Ndërkaq, ditët e fundit një debat virtual mes opinionistes së këtij edicioni Balina Bodinakut dhe ish-banores së shtëpisë më të famshme në Shqipëri, Beatriks ka shkaktuar jo pak bujë në media. Si është parë në sytë e Nedës edhe Albanit kjo situatë e cila e ka mërzitur shumë Beatrix?

Neda: Unë kam folur personalisht me atë vajzën që pati komunikimin me Balinën, e kam pyetur se çfarë qëllimi ka patur që e ke provokuar, mos ka qenë ndonjë sulm i hapur dhe më sqaroi që nuk kishte asnjë tendencë madje më tha që e kishte xhan dhe e vlerësonte. Më tregoi dhe komunikimet e shkuara, ishte tifoze e Beatriks dhe Donaldit dhe më tha këtë gjënë pastaj dhe më erdhi keq se si mundet një opinioniste ta thotë një gjë të tillë. Balinën e kuptoj që nuk është ndjerë mirë sepse po fliste me dikë që kishte krijuar një lloj besimi por gjithsesi nuk mendoj që është tentativë për të prishur imazhin e Triksës. Ajo thjesht është një rënie niveli në sensin që institucionit të thashethemit nuk i shpëtojnë as këta persona që presupozohet t’i rrinë sa më larg këtyre çështjeve. Balina për mua ka qenë shumë e matur dhe elegante, ka sjellë një butësi në raport me mënyrën se si i është qasur banorëve. “Big Brother” është një sistem i pazakonshëm. Kur hyn në këtë sistem, fle dhe ngrysesh duke menduar kush do të më sulmojë sot për 4 muaj rresht. Është një presion i jashtëzakonshëm.

Alban: Unë e shoh nga pjesa e publikut. Kemi të bëjmë më një nga spektaklet më të famshëm në botë, është jo një program por fenomen. Kur merr përsipër të futesh aty duhet të kesh parasysh edhe pasojat, je duke u shfaqur me të mirat dhe të këqijat, nuk ke më mundësi të fshehësh gjërat e tua. E dini se çfarë bëhet jashtë, kështu që bëjini mirë llogaritë kur futeni. Ke të bësh me personazhe të njohur, ti e di që minimumi fansat e tu do të bëjnë namin.