Sport

Dëbimi i Xhokoviçit nga Australia, drejtuesi i “Australian Open” jep versionin e tij!

Kreu i turneut të tenisit “Australian Open” fajëson “komunikimin e keq” për dëbimin e tenistit serb Novak Xhokoviç nga Australia, duke mos iu dhënë mundësia të merrte pjesë, për shkak se nuk ishte vaksinuar kundër koronavirusit. Por, Craig Tiley tha se “numri një në botë, planifikon të marrë pjesë në vitin 2023”.

Xhokoviç u detyrua të rikthehej në Serbi kur iu anulua viza australiane, para nisjes së “Australian Open”, duke mos u toleruar për pjesën që nuk është vaksinuar edhe pse kishte një dokument ku tregohej se e kishte kaluar COVID-in, kohët e fundit.  Drejt Melburnit udhëtoi një javë para nisjes së turneut, por vendimi i Australisë për t’i anuluar vizën, i dha fund shpresave të 34-vjeçarit që të garonte për titullin e 21-të Grand Slam, që të thyente rekordin.

Ndërsa theksoi se “qëllimi i Xhokoviçit është të marrë pjesë në Australian Open në vitin 2023”, Tiley u ankua për “kushtet që po ndryshojnë shpejt”, si edhe për “komunikimin e keq” me Qeverinë federale. Sipas tij, “kjo çoi në dëbimin e tenistit”.

Ishte një mjedis tejet sfidues. Disa herë, Federata e Tenisit e Australisë ka tentuar ta qartësojë situatën me autoritetet kombëtare, por varianti Omicron i koronavirusit, i njohur për përhapjen shumë të shpejtë, krijoi shumë kontradikta e kompleksitet në informacion.

Gjithashtu, Craig Tiley hodhi poshtë pretendimet se Novak Xhokoviç po planifikon të padisë Federatën Australiane të Tenisit. Ai e ka fituar nëntë herë turneun “Australian Open”, përfshirë vitin e kaluar.

Në fund të ditës, Novak është tenisti numër një në botë dhe vërtetë e do Australian Open!